Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Autoritetet në Kosovë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimin përmes Serbisë

Autoritetet në Kosovë thirrje qytetarëve të shmangin

Autoritetet në Kosovë u bënë thirrje të mërkurën qytetarëve që të shmangin me çdo kusht kalimin nëpër territorin e Serbisë, pasi sipas tyre shteti serb ka bllokuar grupe qytetarësh të Kosovës në vendkalimet kufitare të Serbisë me Kroacinë dhe Hungarinë, të cilët po ktheheshin nga vendet e Evropës perëndimore në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe ministria e Punëve të Brendshme kërkuan në një komunikatë të përbashkët që qytetarët “të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”.
“Për më tepër, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje”, thuhet në reagimin e ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Kjo ministri tha se ka njoftuar shtetet e QUINT-it, institucionet e Bashkimit Evropian dhe institucione tjera ndërkombëtare rreth kësaj situatës së krijuar ndërsa shpreson kjo të përfundojë shpejtë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti përmes rrjeteve sociale tha se ndalimi i qytetarëve në kufi është “shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”.
Raportuesja për Kosovën në parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, i bëri thirrje Serbisë të ndalojë siç tha “së turpëruari veten” dhe menjëherë të lejojë qytetarët e Kosovës ta kalojnë kufirin.

“Duhet të sigurohet liria e lëvizjes së të gjithëve, pa diskriminim në bazë të kombësisë”, shkroi zonja Von Cramon në rrjetet sociale.

Reagimi i institucioneve pasoi njoftimin e sekretarit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli i cili shkroi në rrjetet sociale se autoritetet kufitare të Serbisë nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobusë me udhëtarë nga Kosova.

“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin 'ky është një urdhër nga Beogradi'”, shkroi zoti Haxholli duke nënvizuar se ndalimi është hakmarrje dhe shprehje e nervozizmit me votimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në favor të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Autoritetet në Serbi nuk kanë njoftuar për ndonjë ndalim të lëvizjes nëpër territorin e saj për qytetarët e Kosovës. Nga viti i kaluar ajo ka njohur dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga Kosova, ndonëse nëpër vendkalime kufitare ka vendosur afishe në të cilat thuhet se kjo nuk nënkupton njohje të pavarësisë së saj.


Serbia u shpreh e zhgënjyer të martën me votimin e së martës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i dha dritën jeshile anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm. Votimi i hap rrugën vendimit përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës, që duhet të merret në muajin maj në Këshillin e Ministrave të 46 vendeve anëtare të organizatës. Edhe në këtë fazë, Kosova duhet të sigurojë votat e dy të tretave të vendeve anëtare që marrin pjesë në votim.

Votimi i Asamblesë është mirëpritur nga autoritetet në Kosovë ndërsa zyrtarët në Serbi e kanë quajtur “një ditë turpi”. Beogradi ka paralajmëruar se do të vazhdojë luftën kundër anëtarësimit të Kosovës, ndonëse sipas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën të dyja vendet janë pajtuar vitin e kaluar, palët nuk duhet të pengojnë njëra tjetërn në proceset integruese./VOA