
Arsyeja pse pesë emisarë ndërkombëtarë vizitojnë sot Kosovën dhe Serbinë!
Dritare.net
Me qëllim të intensifikimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pesë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vizitojnë të premten të dyja vendet.
Kush viziton Prishtinën dhe Beogradin?
Më 20 janar, në Kosovë dhe Serbi do të qëndrojnë pesë diplomatë të huaj.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, do të jetë i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talo, këshilltar i kryeministres së Italisë.
Në Prishtinë ata pritet të takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Vizitat në të dyja vendet synojnë të përgatisin terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel.
Pse po vijnë emisarët e huaj?
Viti 2023 është parashikuar të jetë vit i dinamizimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë të cilit synohet përmbyllja e këtij procesi.
Sipas burimeve në Bruksel, gjatë takimeve që emisarët do të kenë në Prishtinë dhe Beograd, fokusi kryesor do të jetë propozimi për një marrëveshje bazë dhe për organizimin e takimeve në nivel të lartë në dialog sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për këtë propozim.
Sa i përket një takimi të ri ndërmjet bartësve të dialogut, Kurtit dhe Vuçiçit, diplomatët në Bruksel nuk kanë përmendur ndonjë datë, por kanë thënë se “po punohet që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Synimi i bllokut evropian është që takimi Kurti-Vuçiç të mbahet para fundit të muajit janar.
Herën e fundit që ata u takuan për bisedime ishte 21 nëntori i vitit 2022.
Çfarë pritet?
Një ditë para vizitës së të dërguarve të posaçëm perëndimorë në Kosovë dhe në Serbi, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk pret ndonjë zgjidhje gjatë takimeve të 20 janarit, por theksoi se “është një pikë e rëndësishme kthese” dhe se “shpresojmë në këtë proces - në javët e ardhshme, të shohim përparim të vërtetë”.
Vizita e pesë emisarëve zhvillohet në kohën kur Kosovës po i bëhet presion që të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. SHBA-ja dhe BE-ja thonë që ky është obligim i Prishtinës dhe presin që kjo të bëhet shpejt.
Chollet, i cili vizitoi Prishtinën dhe Beogradin më 11 dhe 12 janar, tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionit" dhe se presin nga "Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë".
Kryeministri Kurti ka shprehur qëndrimin se është kundër një asociacioni njëetnik. Megjithatë, së fundmi, ai nuk ka përjashtuar mundësinë që asociacioni të diskutohet në kuadër të një marrëveshjeje finale për normalizimin e raporteve.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, janë në proces të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i shumicës së tyre në terren ka ngecur.
Në Kosovë thonë se dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë, ndërsa në Serbi insistojnë në zgjidhje kompromisi, por pa specifikuar shumë se çka nënkuptojnë me të./REL/A.ZH-dritare.net

















