Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Arrestohen dy spiunë në Kosovë!

Arrestohen dy spiunë në Kosovë!

Prokuroria Speciale ka njoftuar se dy persona janë arrestuar të mërkurën në dy lokacione për kryerjen e veprës penale “spiunazh”.

Sipas njoftimit, Agjencia Kosovare për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar bastisje pas zhvillimit të hetimeve disamujore.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘spiunazhi’, nga neni 124 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin për media.

Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe pritet të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme.

Ndërkaq gjatë ditës, Dogana e Kosovës ka njoftuar se njëri prej të arrestuarve në Ferizaj me inicialet B.Sh. nuk është pjesë e Doganës prej 20 vjetësh pasi ishte pushuar në fillim të vitit 2004.

“Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv. Që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Doganës./K.C/dritare.net