Albin Kurti: Sapo të vijmë në qeveri, do të vendosim reciprocitetin me Serbinë!
Dritare.net
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, deklaroi se sapo ai të vijë në pushtet, do të vendosë reciprocitetin mes Kosovës dhe Serbisë. Ai së bashku me presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, të ftuar në emisionin ”Debat Plus” deklaruan se reciprociteti, është baza më e shëndoshë ndërmjet shteteve.
Osmani: Po, është baza më e shëndoshë ndërmjet shteteve. Ajo që pritet është të mbrojmë dinjitetin e shtetit tonë. Do të ulemi me ndërkombëtarët që të rikthejmë dinjitetin në vendin tonë.
A do ta riktheni reciprocitetin?
Kurti: Reciprociteti është më thellë se plan sepse është parim. Pra ka një dimension normativ përveç se atij utilitar dhe deri vonë nga koncepti i barazisë. Është parim themelor i marrëdhënieve ndërkombëtare. Pse do duhej të ishte kaq e jashtëzakonshme të vendosej reciprociteti, kur është gjëja më e zakonshme për një shtet që e thërret veten të pavarur dhe sovran. Ndoshta e ka bërë të pazakontë fakti që vendimi i parë që e mori qeveria që po ikën, ishte heqja e reciprocitetit.
Kur do ta vendosni reciprocitetin?
Kurti: Është çështje ditësh ose javësh, por kurrsesi muajsh. Nuk e di se cila do të jetë sekuenca, por është një ndër gjërat e para që do ta bëjmë.
Pyetje: Pra, në rast se qeveria Kurti vjen në pushtet do ta vendosë reciprocitetin?
Kurti: Po… shikoni, me 25 mars kanë rrëzuar një qeveri që e ka pasur reciprocitetin brenda programit si parim, që është më thellë si plan. Ne duam të vazhdojmë punët e mira aty. Vetëm nga pikëpamja e kësaj qeverie që po ikën, duket e pazakonshme. Pra, unë refuzoj ta pranoj pazakonshmërinë e reciprocitetit”, tha Kurti./L.F-dritare.net