Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Albin Kurti: Ndërkombëtarët të dënojnë dhunën në veri!

Albin Kurti: Ndërkombëtarët të dënojnë dhunën

Qeveria e Kosovës pret që gjatë ditës së sotme të hiqen nëntë barrikadat që kanë bllokuar rrugët që shpien në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak. Kryeministri Albin Kurti tha se e vlerësojnë se barrikadat janë hequr atëherë kur nuk ka ngelur asnjëra prej tyre.

“Të gjitha masat tona janë për ligjshmëri dhe rend demokratik, për kushtetutshmëri dhe siguri për të gjithë. Asnjë masë e ndërmarrë nga organet shtetërore të Republikës sonë nuk bëhet bazuar në identitetin etnik, por vetëm në bazë të veprimeve dhe sjelljeve individuale e grupore të qytetarëve. E ato duhet të jenë në përputhje me ligjin. Dhuna nuk do të tolerohet, dhunuesit do të dënohen nga shteti i së drejtës me forcën e ligjit”, tha Kurti në konferencë për media.

Më tej, Kurti theksoi se është në kontakt me partnerët dhe aleatët e Kosovës, derisa e çmoi lartë përkushtimin e ambasadorit amerikan Jeffrey M. Hovenier.

“I shqetësuar me situatën si ne të tjerët kontribuoi shumë mbrëmë për zbutjen e gjendjes, gjithnjë duke e mbështetur shtetin dhe qeverinë tonë, vendimet e qëndrimet tona”, tha ai.

Kryeministri në konferencë theksoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë me fushatën e informimit për të gjithë qytetarët, lidhur me mundësinë e favorshme të shndërrimit të targave ilegale të automjeteve në ato legjitime dhe legale – RKS, pa taksë doganore, akcizë e TVSH. Kurti falënderoi qytetarët e Kosovës për durimin, qetësinë dhe përkrahjen.

“Nuk do të lejojmë destabilizimin e rendit kushtetues e demokratik, do të kujdesemi që të mbizotërojnë ligji e paqja për siguri dhe mirëqenie të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, tha Kurti, duke u bërë thirrje faktorëve ndërkombëtarë, BE-së e NATO-s që të dënojnë dhunën dhe agresionin e siç u shpreh ai, bandave kriminale që janë të nxitura, përgatitura e financuara nga Beogradi./M.K/dritare.net