Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Albin Kurti: 26 vjet nga masakra e Izbicës. Serbët vranë 147 burra e fëmijë

Albin Kurti: 26 vjet nga masakra e Izbicës. Serbët vranë 147

Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në Facebook kujton masakrën e Izbicës, një nga masakrat e mëdha të kryera nga serbët gjatë Luftës së Kosovës, më 28 mars 1999.

"Më 28 mars 1999, katër ditë pas fillimit të intervenimit të NATO-s, forcat e armatosura të Serbisë rrethuan fshatin Izbicë të Skenderajit. Aty kryen një nga masakrat më të mëdha gjatë luftës në Kosovë.

Mijëra civilë të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth ishin grumbulluar në një fushë. Pasi ua plaçkitën gjërat me vlerë, i ndanë burrat nga turma, ndërsa gratë dhe fëmijët i urdhëruan të niseshin për në Shqipëri. Në një akt çnjerëzor dhe barbar, njësitë speciale policore të MPB-së së Serbisë, i ekzekutuan 147 burra, pleq dhe fëmijë të pafajshëm.

Ata që nuk ishin në gjendje të largohen, i vranë. Mes tyre, plakun 83 vjeçar të familjes Rexhepi, dhe dy gra të moshuara me aftësi të kufizuara, të cilëve ua vunë flakën.

Të masakruarit u zhvarrosën nga Izbica, u fshehën në varreza masive. Disa prej të vrarëve u gjetën në Mitrovicë, e të tjerë pranë kampit të trajnimit të policisë në Petrovo Selo, në Serbi.

“Ku e keni NATO-n? Ku e keni Klintonin?”, rrëfejnë të mbijetuarit që të jenë pyetur nga forcat serbe para se të shtienin mbi ta me armë zjarri.

Albin Kurti: 26 vjet nga masakra e Izbicës. Serbët vranë 147

Kjo masakër u krye në 10 vjetorin e Kushtetutës së Serbisë, që vulosi suprimimin e autonomisë së Kosovës.

Në 26 vjetorin e kësaj masakre, nderojmë kujtimin e të vrarëve në Izbicë. Përkulemi me respekt edhe para të mijetuarve e familjarëve, të cilët edhe në ditët më të rënda gjetën forcën të dëshmonin në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.
Ata dhanë dëshmi të pakontestueshme kundër Millosheviqit dhe udhëheqësve tjerë serbë, duke dokumentuar krimet dhe duke kërkuar drejtësi për viktimat.

Kujtimi ynë sot është edhe zotim për të mos harruar kurrë dhe për të mos lejuar përsëritjen e këtyre mizorive.

Në çdo pranverë, kujtimi i krimeve të Serbisë në Kosovë është thirrje për t'u bërë edhe më të vendosur në kërkimin e drejtësisë. Plagët janë të hapura, për sa kohë kriminelët janë të lirë. Plagët i mbyll drejtësia. E kemi për obligim si Republikë e Kosovës, që drejtësia të vihet në vend e përgjegjësit e gjenocidit serb në Kosovë të dënohen.

Sot dhe përgjithmonë, nderojmë sakrificën e atyre që u sakrifikuan në Izbicë, nderojmë forcën e familjarëve, dhe angazhohemi që kjo tragjedi të mos harrohet kurrë.

Lavdi martirëve të Izbicës!
I paharruar qoftë kujtimi për ta!", shkruan Kurti në Facebook./K.C/dritare.net