
Aksidentoi për vdekje 19-vjeçarin: Ka vdekur. Më mirë të vdes dhe unë!
Dritare.net
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Prishtinë, ku për shkak të një aksidenti ka humbur jetën një 19-vjeçar.
J.S. nuk u mbijetoi plagëve të mara nga makina, e cila e goditi atë teksa viktima ishte duke ecur në trotuar, i shoqëruar nga një mik i tij. Ngjarja e ka lënë shoferin në shok.
“A ka vdekur? Më mirë të vdes dhe unë”, dëgjohet teksa bërtet i riu në rrugë.
Aksidenti, sipas dëshmitarëve, ndodhi për shkak të shpejtësisë së madhe, dhe makina goditi dy makina të parkuara në trotuar, të cilat më pas goditën për vdekje këmbësorin.
Personi që shkaktoi aksidentin, me urdhër të prokurorit, është dërguar në paraburgim për 48 orë. Por, fillimisht ai është trajtuar në emergjencën e QKUK-së, ku ka marrë trajtim për shkak të shokut traumatik që e ka pësuar nga ngjarja.
Mjekja Krenare Makolli tha se ai është pranuar në gjendje të rëndë psikike dhe është këshilluar policia që në rast se nuk i përmirësohet gjendja, të dërgohet në psikiatri.
Banorët e lagjes “Kodra e Trimave”, të tronditur nga ngjarja, kritikuan komunën se nuk ka bërë shenjëzimin horizontal e vertikal të rrugëve, gjë që do të parandalonte aksidentet. Sipas tyre, shpejtësia e lejuar në këtë zonë është 40 km/h, ndërsa shoferët ngasin makinat mbi 100 km/h, ndaj aksidentet janë të shpeshta./M.K/dritare.net

















