
Abazoviç votohet sot në Kuvend si kryeministër i Malit të Zi!
Dritare.net
Dritan Abazoviç, i mandatuari për kryeministër në Malin e Zi, ka dorëzuar zyrtarisht programin e qeverisë së re në Kuvend. Seanca për votimin e kabinetit të 43-të pritet të zhvillohet këtë të enjte, më 28 prill.
Në planin e dorëzuar, Abazoviç ka renditur disa nga pikat kryesore, se ku do të fokusohet qeveria e re, ku mes të tjerave përfshihet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma të reja për të përballuar krizën ekonomike si pasojë e luftës në Ukrainë, si dhe përshpejtimi i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Konfirmimi i kabinetit të ri shihet si i sigurt nga drejtuesi i Lëvizjes “Ura”, pasi ai pretendon se ka siguruar votën e 46 deputeteve nga 81 që ka parlamenti malazez.
Qeveria e re do të ketë katër zëvendëskryeministra dhe 20 ministra, nga të cilët, dy do të jenë pa portofol.
Pjesë e koalicionit qeverisës janë Lëvizja Qytetare URA e Abazoviç, Partia Popullore Socialiste, e cila është pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve dhe boshnjakëve./Xh.Xh/dritare.net

















