
25-vjetori i çlirimit, Osmani: Meritojmë të jemi pjesë e NATO-s, për të trashëguar lirinë!
Dritare.net

Presidentja Vjosa Osmani gjatë seancës soleme në Kuvend për 25-vjetorin e çlirimit të vendit tha se Kosova e meriton tani që të anëtarësohet në NATO.
Osmani theksoi se zbarkimi i forcave të NATO-s më 12 qershor 1999 premtoi se vendi do të gëzonte lirinë dhe se mizoria e serbe ndaj popullit do të merrte fund.
“Ata sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk kishte harruar për popullin e Kosovës dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë. Hyrja e NATO-s në qershor të 1999-s ishte fuqi e solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit universal të një populli për të qenë i lirë. Liria është më shumë se sa fjalë. Është thelbi i qenies sonë. Ajri që e thithim, ëndrra që guxojmë ta ëndërrojmë. E ardhmja që aspiruam dhe për të cilën luftuan e dhanë jetën çlirimtarët tanë.
Liria nuk është dhuratë, por për të u pagua çmimi më i lartë që mund të paguajë një popull. Liria sot është përgjegjësi e trashëgimi që duhet ta mbrojmë dhe premtim që duhet ta përmbushim për këtë dhe çdo gjeneratë që vjen pas nesh. NATO-ja na dha mbështetjen dhe ne sot e synojmë dhe e meritojmë anëtarësimin në këtë organizatë ushtarake me ushtrinë tonë që me profesionalizmin e saj është e gatshme të bëhet kontribuuese për paqe kudo në glob”, tha Osmani./M.K-dritare.net

















