Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Pasojat e përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë! Ja çfarë është zbuluar!

Pasojat e përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë! Ja

Organizata e mbrojtjes së grave, Medica Mondiale dhe Medica Gjakova publikuan studimin më të madh për pasojat afatgjata të përdhunimeve gjatë kohës së luftës në Kosovë. Rezultatet janë të trishta.

Deutsche Welle: Medica Mondiale dhe Medica Gjakova publikuan sot (12.09) një studim, më i madhi i këtij lloji për pasojat afatgjata të përdhunimeve të kohës së luftës në Kosovë. Pse u realizua tani ky studim?

Monica Hauser: Po, vërtet ky është studimi i parë për pasojat afatgjata, ka shumë boshllëqe studimore për këtë temë, sepse as institucionet e pavarura dhe as ato shtetërore nuk kanë interes sa duhet për një temë të tillë. Për ne ishte me rëndësi, që tani pas një kohë kaq të gjatë të hulumtojmë dhe të përpunojmë më në fund kaq shumë përvoja prej 25 vitesh të Medica Gjakova. Për ne ishte e qartë që rezultati i tyre ka rëndësi për Kosovën, por edhe për zona të tjera të pasluftës.

Pse mungon ky interes?

Interesi për këtë temë mungon në mbarë botën, sepse ne të gjithë punojmë në shoqëri patriarkale, por edhe universitetet, politika, bota studimore ende i përzgjedhin po në formë patriarkale temat që janë për to më interesante. Për fat të keq na duhet të konstatojmë se një temë e tillë nuk ka prioritet, por për ne kjo temë ka prioritet prej më shumë se 30 vjetësh. Ne kërkuam burimet për të bërë këtë studim dhe tani e bëjmë publik këtë studim.

Çfarë konstatoni në këtë studim, cilat janë gjurmët e kësaj barre që duhet të mbajnë përditë këto gra?

Fjala barrë është shumë e saktë si thoni ju. Është vërtet një barrë shumë e rëndë për gratë edhe pas shumë vitesh në shumë drejtime, kjo ka të bëjë me atë që kanë përjetuar, por edhe si vepron shoqëria sot me to. Tregohet në formë shumë prekëse se si pasojat janë shumë të rënda, edhe pas shumë shumë vitesh. Ne shohim pasoja afatgjata psikike, për shembull më shumë se 73% e pjesëmarrës*ve tregojnë simptoma të shqetësimeve komplekse posttraumatike, që do të thotë se kanë rikthime të rënda të situatës traumatizuese, kanë mendime për vetëvrasje, janë depresive. Më shumë se 96% e tyre, gati të gjitha i përmbushin kriteret e një depresioni klinik. Më shumë se 70% dhanë si përgjigje se kanë ndjenjën, se jeta e tyre nuk ka vlerë të jetohet. 96% flasin për një ndjesi të madhe të frikës. Më shumë se 50% marrin përditë ilaçe qetësuese për të menaxhuar ditën. Pasojave psikike iu shtohen pasojat fizike. Më shumë se gjysma e pjesëmarres*eve e përshkruajnë gjendjen e tyre shëndetësore si shumë të keqe, vuajnë nga dhimbje të mëdha, dhimbje koke, kurrizi etj. Më shumë se një e treta ka pasur një ndërhyrje kirurgjikale gjinekologjike.

Shifrat që përmendni ju për pasojat e traumës që vuajnë ato janë tronditëse. Si u ndihmohet këtyre grave sot?

Menjëherë pas luftës ne në qytetin e Gjakovës krijuam qendrën ("Medica Gjakova") që punon në mënyrë interdisiplinare, departamenti gjinekologjik dhe psiko-social punojnë dorë për dore për t'i ndihmuar gratë si duhet dhe plotësisht. Për këto vite kemi zhvilluar një metodë speciale sensibël për stresin, që koleget tona në terren e përdorin, që do të thotë gratë ndihmohen në atë mënyrë që të dalin më të forta, të dalin më të stabilizuara nga kjo terapi, dhe jo si në spitalet shtetërore, ku personeli nuk ka asnjë përvojë dhe pak sensibilitet, e ku gratë aty shpesh lëndohen edhe njëherë.

Çfarë rrëfejnë këto gra, ato janë nëna, motra, gjyshe ndoshta..si kanë mbijetuar ato pas kësaj traume?

Janë ato gra që atëherë u përdhunuan përgjatë frontit të luftës në fshatra. Shumë kanë parë me sytë e tyre si motrat e tyre, nënat, kushërirat janë përdhunuar. Kjo është një temë e rëndësishme për këto gra. Por për fat të keq ekziston një stigmatizim ekstrem social, mjedisi nuk do të flasë për këtë temë, sepse është kaq e dhimbshme, dhe sepse në shoqërinë patriarkale atje gratë janë të stigmatizuara, megjithëse kanë përjetuar një gjë kaq të rëndë, në vend që të mbahen afër. Koleget në terren përpiqen t'i ndihmojnë këto gra si t'u njihet e besohet historia e tyre, dhe bashkë me to të stabilizohen dhe mbështeten rregullisht. Këtu marrin rëndësi fushata sqaruese tek popullsia, që të kuptohet që është edhe përgjegjësia e shoqërisë të pranojë këto gra.

Në shoqëri patriarkale shpesh faji i kalohet femrës, madje edhe në rast të përdhunimit. Ky lloj stigmatizimi çon në izolim të grave, nuk flitet, si mund të thyhet mentaliteti i heshtjes?

Vërtet ky është një problem shumë i madh dhe këto dinamika patriarkale të përjashtimit shoqëror janë ende shumë prezente. Këtë mund ta tejkalojmë, nëse nga njëra anë forcojmë gratë, që koleget tona e bëjnë rregullisht me terapi, me terapi në grup, kemi konstatuar se terapia në grup është efikase, aty gratë janë me njëra-tjetrën dhe shohin, se nuk janë të vetme ato që e kanë përjetuar këtë dhe gjejnë mbështetje. Nga ana tjetër shoqërisë duhet t'i kujtohet rregullisht që të përballet me këtë temë. Për këtë koleget në terren bëjnë fushata sensibilizuese për këtë tematikë, sepse të gjithë janë përgjegjës që këto traumata të trajtohen. Me këtë studim ne kemi vendosur në fokus parësor gratë dhe nuk flasim për autorët e përdhunimeve.

Sa merren në konsideratë nga gratë ofertat që ofroni ju?

Ka shumë gra që vijnë nga rajoni i Gjakovës e përreth në këtë qendër, por koleget shkojnë me ambulanca në fshatra për të zhvilluar terapi në grup, edhe pas kaq shumë kohe vazhdojnë të sensibilizojnë popullsinë për këtë temë dhe aty vijnë rregullisht gra që nuk kanë folur kurrë më parë për këtë temë. Por nuk mund t'i gjejmë të gjitha gratë, dhe vërtet e shohim që këto gra mbeten të izoluara. Puna e Medica Mondiale, Medica Gjakova është të përqëndrohemi tek këto gra, tek fëmijët e tyre, sepse ne konstatojmë, sepse gratë që kanë përjetuar një traumë të tillë kaq të rëndë e transmentojnë këtë edhe tek fëmijët. Prandaj ka shumë rëndësi që të tregohet kujdes edhe për fëmijët. Ajo që ka rëndësi për ne është edhe trajnimi i vazhdueshëm i personelit të specializuar në Kosovë. Medica Mondiale, Medica Gjakova e bëjnë këtë prej vitesh. Kërkesa jonë për politikën është që të ketë më shumë standard e cilësi të punës së personelit në spitale, në sistemin e drejtësisë, në anën sociale, në mënyrë që këto gra të mos lëndohen aty edhe njëherë.

Ju përmendët transmentimin e traumës tek fëmijës. Çfarë keni konstatuar?

Nuk ka qenë tema kryesore e studimit, natyrisht gratë flasin edhe për fëmijët e tyre, sepse në thelb familja dhe fëmijët janë faktori më i rëndësishëm stabilizues për këto gra, prandaj është kaq tragjike, nëse familja do t'i përjashtonte për shkak të përjetimeve të tyre. Vetë fëmijët kanë simptoma psikike, si depresione, mbyllen në vetvete apo që janë shumë agresivë. Këto janë raportimet e këtyre grave. Këto janë rezultate që përkojnë me ato të studimeve të tjera, psh në Bosnje, që fëmijët shfqain probleme të tilla, prandaj ka kaq rëndësi që të ketë shumë më tepër oferta ndihme, ku të ndihmohen gratë dhe nënat.

A mendoni se kjo problematikë shihet si përgjegjësi mbarëshoqërore në Kosovë?

Kjo është një përgjegjësi e të gjithë shoqërisë dhe ne prej kohësh e kërkojmë këtë nga politika dhe shoqëria, koleget në terren janë pjesë në emisione televizive apo radio, ku rregullisht shpjegojnë, se gratë nuk janë fajtore, e ndodh përmbysja e roleve krim-viktimë, kur faji iu jepet grave, se kjo është patriarkale dhe duhet të ndalet, por që kjo do parë si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Tjetra, ato përpiqen t'ia bëjnë të qartë njerëzve aty, se dhuna e atëhershme nuk do të ndërpritej, nëse shoqëria e përjashton gruan. Për këtë shoqëria mban përgjegjësi dhe ne bëjmë rregullisht fushata sqaruese. Mendoj, se në shoqëri patriarkale ka rëndësi durimi. Edhe në Gjermaninë e pasluftës e kemi parë që gratë për një kohë të gjatë nuk mund të flisnin dot për atë që ju kishte ndodhur në luftë. Nuk është vetëm në Kosovë kështu. Këto përvoja dhe pasojat e tyre i shohim në të gjitha zonat ku punojmë në botë. Por tani në Kosovë ne i kemi tani këto shifra, të zezë mbi të bardhë dhe mund t'i themi shoqërisë, duhet të merrni përgjegjësinë./dw