Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Filmi që e gjithë bota po pret ka muzikë shqiptare

Një nga filmat më të shumëpritur të vitit, “The Odyssey”, me regji të fituesit të çmimit Oscar Christopher Nolan, do të mbajë edhe jehonën e muzikës tradicionale shqiptare.

Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, ka zbuluar se kolona zanore e filmit përfshin elemente të isopolifonisë shqiptare, të shpallur nga UNESCO pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, si edhe tingujt karakteristikë të fyellit dyjar, për të cilat u frymëzua gjatë vizitës së tij në jug të Shqipërisë.

Për të sjellë sa më autentike këtë frymë muzikore, Göransson udhëtoi në jug të Shqipërisë, ku realizoi regjistrime me këngëtarë dhe instrumentistë vendas. Këto elemente tradicionale janë bërë pjesë e kolonës zanore të filmit, duke i dhënë një identitet të veçantë projektit më të ri të Nolan.

“The Odyssey”, i bazuar në poemën epike të Homerit, del nesër në kinematë botërore dhe pritet të jetë një nga sukseset më të mëdha kinematografike të vitit. Në kastin e aktorëve bëjnë pjesë disa nga emrat më të njohur të Hollivudit, si Matt Damon, Tom Holland, Zendaya, Anne Hathaway, Charlize Theron, Lupita Nyong’o, Robert Pattinson dhe Jon Bernthal.

Përfshirja e elementeve të muzikës tradicionale shqiptare në një produksion të kësaj përmase përbën një vlerësim të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore shqiptare, duke bërë që tingujt e iso-polifonisë të dëgjohen nga miliona shikues në mbarë botën./dritare.net