
Kurti non-grata, ngrirje për fondet dhe vizat e Kosovës!
Dritare.net
Gazetarja Rudina Xhunga në rubrikën Tregimi i Ditës në DritareTV, sot tregoi çfarë rrezikon Kosova, nëse partnerët ndërkombëtarë nuk marrin përgjigjet që presin nga kryeministri Kurti. Sipas një dokumenti që po qarkullon jo-zyrtarisht, Kosova rrezikon nga ngrirja e fondeve te ngrirja e vizave, nga ngrirja e njohjeve te largimi i trupave amerikane.
Më poshtë i plotë dokumenti që solli Rudina Xhunga:
Komuniteti transatlantik ka një nevojë jetike për të mos lejuar një qendër krize prapa linjave të kontaktit me Rusinë. Një vatër krize në Kosovë i vlen vetëm Rusisë.
Me nisjen e planit franko-gjerman u krijua bindja se do të dilnin probleme me palën serbe, si palë kokëfortë dhe jokonstruktive. Askush nuk e priste se do të ishte Qeveria e Kosovës ajo që me veprimet e saj do të nxiste pasigurinë, do të nxiste krizat dhe konfliktet.
Komunitetit perëndimor transatlantik i ka mbaruar durimi. Prandaj sot kërkojmë një përgjigje të qartë nga Qeveria e Kosovës. A është apo jo partner i komunitetit transatlantik? Të qenit partner dhe konsumator i sigurisë kombëtare që ofron dhe mban gjallë komuniteti transatlantik do të thotë edhe përmbushje pa kushte të të gjitha detyrimeve.
Dështimi për ta bërë këtë do të thotë pasoja.
Përgjigja e përbashkët e komunitetit transatlantik në rast refuzimi nga Qeveria Kurti:
Faza e parë:
1. Ngrirja e fondeve nga BE.
2. Ngrirja e procesit të liberalizimit të vizave.
3. Ngrirja e procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
4. Ngrirja e fondeve amerikane.
5. Ngrirja e programeve për FSK-në.
Faza e dytë:
1. Qëndrimi pasiv ndaj fushatës serbe për ç’njohje.
2. Riorganizimi i pranisë ushtarake ndërkombëtare, reduktim serioz i kontigjentit amerikan.
3. Përjashtimi i Kosovës nga disa organizata ndërkombëtare.
Sanksionet individuale ndaj kryeministrit Kurti dhe ministrit Sveçla:
Në rast se gjendja në terren përkeqësohet dhe çon në një rrezik serioz të sigurisë së përgjithshme, duke përfshirë rrezikimin e trupave të KFOR-it, kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla mund të shpallen non-grata me arsyetimin se paraqesin kërcënim për sigurinë dhe paqen.
Pakënaqësi me opozitën:
Komuniteti transatlantik nuk ka asnjë përfitim apo interes nga kritikat e opozitës ndaj qëndrimit të kryeministrit Kurti. Edhe opozita nuk po arrin ta kuptojë thellësinë e seriozitetit të situatës dhe rrezikun real për Kosovën. Opozita pritet të dalë dhe të deklarohet qartë nëse është apo jo për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në dialog. Fakti që opozita nuk e bën këtë gjeneron mosbesim dhe projekton oportunizëm. Përshtypja e komunitetit perëndimor është se opozita tashmë ka përgatitur komunikata për shtyp duke akuzuar qeverinë për pranimin e Asociacionit. Kjo sjellje është thjesht e rrezikshme. Nëse Kosova dështon të përmbushë obligimet e saj, rrezikon të ardhmen e saj./dritare.net

















