Dronë me eksplozivë. FBI parandalon një sulm ndaj Shtëpisë së Bardhë!
Dritare.net

Autoritetet amerikane kanë parandaluar një sulm të dyshuar ndaj eventit të UFC-së të zhvilluar të dielën në Shtëpinë e Bardhë, duke arrestuar pesë persona në një operacion të koordinuar në disa shtete të SHBA-së.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, të dyshuarit kishin planifikuar të përdornin dronë të mbushur me eksplozivë për të goditur zona pranë Shtëpisë së Bardhë dhe për të krijuar panik mes mijëra pjesëmarrësve. Hetuesit pretendojnë se plani parashikonte që turma të drejtohej drejt një zone ku do të vepronin snajperë, ndërsa një grup tjetër do të sulmonte portat e kompleksit presidencial.
Mes objektivave të mundshëm të sulmit përmenden Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, Zëvendëspresidenti JD Vance, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, Elon Musk dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Komploti u zbulua pasi nëna e njërit prej të arrestuarve, 19-vjeçarit Tycen Proper, njoftoi policinë për blerje të shumta armësh dhe komunikime të dyshimta në internet. Sipas FBI-së, grupi ishte organizuar përmes TikTok dhe më pas kishte kaluar komunikimet në aplikacionin e koduar Signal.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se të dyshuarit kishin shpërndarë harta të Uashingtonit, pozicione të mundshme për snajperë dhe pika për lëshimin e dronëve. Prokurorët thonë se grupi synonte të nxiste një revolucion të armatosur kundër qeverisë amerikane.
Të pesë të arrestuarit akuzohen për komplot për të kryer vrasje dhe, nëse shpallen fajtorë, përballen me burgim të përjetshëm. Seanca paraprake gjyqësore është caktuar më 29 qershor./BBC