
Zjarr në një pallat në Stamboll. 29 persona humbasin jetën!
Dritare.net
Një zjarr ka rënë në katin e poshtëm të një pallati 16-katësh në Şişli të Turqisë. Në vendngjarje janë nisur shumë forca policore, zjarrfikëse dhe mjekësore. Nga zjarri kanë humbur jetën 29 persona, 1 person ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa mjekimi i të plagosurve vazhdon në spital. Në deklaratën e bërë nga Guvernatoria e Stambollit, thuhet se zjarri mendohet të jetë shkaktuar nga rinovimet. Presidenti Erdoğan telefonoi ministrin e Punëve të Brendshme Yerlikaya dhe mori informacion për zjarrin në Gayrettepe të Stambollit, ku humbën jetën 29 persona. Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë Yılmaz Tunç bëri të ditur se në hetim u caktuan 3 prokurorë publikë dhe për 5 persona u caktua masa e ndalimit.
Dyshohet se zjarri ka rënë pranë skenës në klubin e natës të quajtur Masquerade, që ndodhet në katin e poshtëm të pallatit 16-katësh, i cili ishte i mbyllur për Ramazan dhe po rinovohej. Ndërsa zjarri u rrit, klubi dhe ndërtesa u mbushën me tym. Ata që ndodheshin në atë kohë në klub dhe në godinë ishin të bllokuar brenda. Pas njoftimit, në vendngjarje janë dërguar shumë zjarrfikëse, ambulanca dhe ekipe mjekësore. Ndërkohë që zjarri është shuar si pasojë e ndërhyrjes së zjarrfikësve, nga ngjarja kanë humbur jetën 29 persona./K.C/dritare.net

















