SHBA drejt mbylljes së qeverisë. Senati bllokon paketën e financimit
Dritare.net

Senati amerikan bllokoi sot një paketë të madhe shpenzimesh, ndërsa vazhdojnë negociatat e minutës së fundit për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë në fund të javës.
Të gjithë senatorët demokratë votuan kundër avancimit të paketës me gjashtë projektligje financimi. Ata kërkojnë që fondet për Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS), ku përfshihet edhe Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave (ICE), të ndahen nga pjesa tjetër e paketës për t’u rinegociuar veçmas. Kërkesa vjen pas reagimeve për politikat e ICE-së, në lidhje me një incident fatal në Minneapolis.
Shtatë senatorë konservatorë iu bashkuan demokratëve, duke e rrëzuar paketën me 45 vota pro dhe 55 kundër. Lideri i shumicës republikane, John Thune, ndryshoi votën e tij në “kundër” për ta sjellë sërish projektligjin në votim më vonë.
Nëse nuk arrihet marrëveshje, disa agjenci të mëdha federale, përfshirë Mbrojtjen, Shëndetësinë, Arsimin, Transportin dhe Strehimin, rrezikojnë të mbeten pa financim. Një propozim në diskutim parashikon financim të plotë për agjencitë e tjera deri në fund të shtatorit, ndërsa për DHS vetëm një zgjatje të përkohshme, për të vazhduar negociatat.
Udhëheqësit e të dy partive dhe Shtëpia e Bardhë shprehen se janë më afër një marrëveshjeje, ndërsa demokratët kërkojnë ndryshime në praktikat e ICE-së, përfshirë kufizimin e përdorimit të urdhër-arresteve, ndalimin e patrullimeve të lëvizshme, vendosjen e kamerave trupore dhe heqjen e maskave nga agjentët./K.C/dritare.net