
Shpresat e gjithë botës për ta shpallur të fituar luftën me Covis-19, është vaksina. Por ekziston edhe një mundësi tjetër, që vaksina të mos zhvillohet kurrë.
"Ka disa viruse për të cilat ne ende nuk kemi një vaksinë”, thotë doktor David Nabarro, një profesor i shëndetit global në Imperial College London, i cili gjithashtu shërben si një i dërguar i veçantë i Organizatës Botërore të Shëndetit për Covid-19.
Nuk ka kurrë një përgjigje absolute përsa i përket çështjes së vaksinës. Shumë ekspertë janë shprehur pozitivë se vaksina kundër Covid-19 do të krijohet, por nuk duhet të harrojmë se ka ende shumë sëmundje infektive, për të cilat nuk është krijuar një vaksinë.
Në 1984, Sekretari amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore Margaret Heckler njoftoi në një konferencë për shtyp në Uashington, se shkencëtarët kishin identifikuar me sukses virusin që më vonë u bë i njohur si HIV dhe parashikoi që një vaksinë parandaluese do të ishte e gatshme për testim në dy vjet. Gati katër dekada dhe 32 milion vdekje më vonë, bota është ende në pritje të një vaksine kundër HIV.
Nëse do të ndodhë e njëjta gjë edhe me rastin e koronavirusit çfarë do të ndodhë me botën?
Plani B!
Nëse nuk do të ketë një vaksinë siç kanë premtuar ekspertët, virusi do të jetojë me ne për një kohë shumë të gjatë. Plani B përfshin zhvillimin e ilaçeve parandaluese. Remdesivir, është një nga ilaçet që testohet për të trajtuar Covid-19. Por trajtimet nuk mund të parandalojnë çdo infeksion në shoqëri. Ndaj jeta pa vaksinë, do të jetë siç është tani. Nuk mund t’i kthehemi normalitetit të mëparshëm edhe për shumë gjatë. Shoqëria dhe kultura do të ndryshojnë. Mënyra e sjelljes do të jetë sikurse tani: pa u takuar, pa u grumbulluar, dhe duke ruajtur gjithmonë distancimin social. Në vendet e varfra do të jetë shumë më e vështirë. Testimi dhe gjurmimi fizik do të bëhen pjesë e jetës sonë. Numri i infektimeve mund të rritet, po kështu edhe numri i viktimave. Megjithatë ekspertët janë shprehur pozitivë, se në më pak se dy vjet, një vaksinë kundër Covid-19, do të jetë gati për botën./L.F-dritare.net

















