
Ministria e Jashtme gjermane: Po punojmë intensivisht për çeljen e negociatave me Shqipërinë!
Dritare.net
Ministria e Punëve të Jashtme gjermane, ende nuk ka dhënë një vendim përfiundimtar për shtyrjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maria Adebahrka thënë në konferencën e rregullt në Berlin se po punohet me intensitet të plotë për çeljen sa më shpejt të negociatave.
“Këshilli i BE-së tha në mars të këtij viti që të fillojnë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, dhe qëllimi ynë mbetet që të fillojmë sa më shpejt me këto negociata. Ne jemi të mendimit se Bashkimi Evropian ka dhënë fjalën dhe këtu kemi të bëjmë me besueshmërinë e BE-së dhe me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, kështu që ajo që di unë deri tani është se ende po bëhen konsulta intensive në Bruksel dhe në nivelin bilateral në vendet anëtare dhe se këto vazhdojnë. Ne nuk po dorëzohemi dhe duhet të arrijmë përparime”, ka theksuar Maria Adebahrka.
Vëzhgues në Berlin e Bruksel mendojnë se miratimi i kornizës negociuese me Shqipërinë, edhe pse bëhet fjalë për një akt me natyrë teknike, do të dërgonte një sinjal jo të mirë ndaj Maqedonisë së Veriut. Kjo e fundit aktualisht pengohet nga Bullgaria për shkak të një grindjeje për përkatësinë historike të gjuhës dhe kombit.
Në fillim të javës kancelarja Angela Merkel u shpreh e gatshme për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut brenda këtij viti, ndërsa me Shqipërinë, ajo tha se nuk mund ta premtonte se do të arrihej qysh këtë vit, por shumë shpejt./M.M-dritare.net

















