Na ndiqni edhe në

Bota

Evropa dërgon trupa në Groenlandë, Trump këmbëngul se SHBA ka nevojë për ishullin

Evropa dërgon trupa në Groenlandë, Trump këmbëngul se

Një kontingjent ushtarak francez prej 15 personash ka mbërritur në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, ndërsa disa shtete evropiane po dërgojnë trupa atje si pjesë e një të ashtuquajturi mision zbulues.

Vendosja, e cila do të përfshijë gjithashtu personel nga Gjermania, Suedia, Norvegjia, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar, vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump vazhdon të këmbëngulë në pretendimin e tij për ishullin arktik, i cili është një pjesë gjysmë-autonome e Danimarkës.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se kontingjenti fillestar do të përforcohet së shpejti me “mjete tokësore, ajrore dhe detare”.

Diplomati i lartë Olivier Poivre d’Arvor e pa misionin si një sinjal të fortë politik: “Ky është ushtrimi i parë… do t’i tregojmë SHBA-së se NATO është e pranishme”.

Lëvizja e personelit ushtarak vjen pasi ministrat e jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës udhëtuan në Uashington për një takim me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance të mërkurën.

Pas takimit, ministri i Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen tha se, ndonëse bisedimet ishin konstruktive, mbetej një “mospajtim themelor” mes dy palëve dhe më pas kritikoi përpjekjen e Trump për të blerë Groenlandën.

Trump, ndërkohë, e forcoi më tej qëndrimin e tij për ta sjellë Groenlandën nën kontrollin e SHBA-së, duke u thënë gazetarëve në Zyrën Ovale: “na duhet Groenlanda për sigurinë kombëtare”. Edhe pse nuk e përjashtoi përdorimin e forcës, ai tha vonë të mërkurën se mendonte se diçka mund të zgjidhej me Danimarkën.

“Problemi është se Danimarka nuk mund të bëjë asgjë nëse Rusia ose Kina duan të pushtojnë Groenlandën, por ne mund të bëjmë gjithçka. Këtë e patë javën e kaluar me Venezuelën.”

Kryeministri polak Donald Tusk tha se Polonia nuk po planifikon t’i bashkohet vendosjes ushtarake evropiane në Groenlandë, por paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane atje “do të ishte një katastrofë politike”.

“Një konflikt ose përpjekje për aneksimin e territorit të një vendi anëtar të NATO-s nga një tjetër vend anëtar i NATO-s do të ishte fundi i botës siç e njohim ne dhe i asaj që për shumë vite ka garantuar sigurinë tonë,” tha ai në një konferencë për shtyp.

Ndërkohë, ambasada e Rusisë në Belgjikë shprehu “shqetësim serioz” për atë që po ndodh në Arktik, duke akuzuar NATO-n se po ndërton një prani ushtarake atje “nën pretekstin e rremë të një kërcënimi në rritje nga Moska dhe Pekini”.

Megjithatë, vendosja evropiane e NATO-s përbëhet vetëm nga disa dhjetëra persona, si pjesë e ushtrimeve të përbashkëta të drejtuara nga Danimarka, të quajtura Operacioni Arctic Endurance. Edhe pse e ngarkuar me simbolikë, nuk ishte menjëherë e qartë se sa gjatë do të qëndronin ata.

Gjermania po dërgonte të enjten një avion transportues A400M në Nuuk me një kontingjent prej 13 ushtarësh, megjithëse zyrtarët thanë se ata do të qëndronin në Groenlandë vetëm deri të shtunën.


Zyrtarë të mbrojtjes daneze thanë se, në marrëveshje me qeverinë e Groenlandës, ishte vendosur të rritej prania ushtarake rreth Groenlandës në periudhën e ardhshme për të forcuar “gjurmën e NATO-s në Arktik në dobi të sigurisë evropiane dhe transatlantike”.


Macron, në fjalimin e tij të Vitit të Ri drejtuar forcave të armatosura franceze, tha se evropianët kanë një përgjegjësi të veçantë ndaj Groenlandës “sepse ky territor i përket Bashkimit Evropian dhe është gjithashtu një nga aleatët tanë në NATO”.