
Historia e sulltanit që mbrojti hebrenjtë nga nazistët!
Dritare.net
Nga Sokol Neçaj
Sulltan Mohammed V ishte një djalë i ri, vetëm 31 vjeç dhe sundimtar i Marokut gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Vendi i tij, në atë kohë, ishte një protektorat i Francës. Kur Franca iu dorëzua nazistëve në qershor të vitit 1940, edhe Maroku ra nën kontrollin e tyre. Brenda disa muajsh ligjet antisemite filluan të vinin nga Berlini dhe Parisi, Mohammed thuhet se refuzoi të nënshkruante përpjekjet e zyrtarëve të Vichy për të imponuar legjislacion anti-hebre në Marok dhe për të dëbuar 250,000 hebrenjtë e Marokut në kampet naziste të shfarosjes në Evropë.
Sulltani i ri e vlerësonte shumë shoqërinë multikulturore që kishte trashëguar dhe respektonte praninë 2000-vjeçare hebreje në Marok. Kur qeveria kuislinge franceze dhe nazistët i kërkuan të identifikonte dhe izolonte hebrenjtë, ai thuhet se u përgjigj: "Nuk ka qytetarë hebrenj apo qytetarë myslimanë, ata janë të gjithë marokenë"
Sigurisht ai nuk mund të sfidonte hapur autoritetet franceze, por ai u bë pengesë, duke ecur me ritmin e kërmillit në miratimin e ligjeve franceze. Mohammed, nën presionin e zyrtarëve të Vichy, nxori dy dekrete që i ndalonin hebrenjtë nga shkolla dhe pozita të caktuara.
Megjithatë, Mohammed vlerësohet shumë nga hebrenjtë marokenë për mbrojtjen e komunitetit të tyre nga qeveria franceze naziste Vichy. Mohammed V është nderuar nga organizatat hebraike për rolin e tij në mbrojtjen e nënshtetasve të tij hebrenj gjatë Holokaustit./dritare.net

















