
Manchester City ia del, fiton betejën ligjore me UEFA
Dritare.net
Manchester City më në fund ia ka dalë të fitojë betejën ligjore me UEFA në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Kjo e fundit pranoi apelin e bërë nga klubi anglez dhe hodhi poshtë dënimin e dhënë nga qeveria e futbollit evropian për përjashtimin e citizens nga kompeticionet evropiane për dy sezonet e ardhshme.
Mirëpo Manchester City nuk ka shpëtuar pa asnjë dënim , pasi CAS vendosi të lërë në fuqi sanksionimin me gjobë , por në një masë më të reduktuar nga 30 në 10 milionë euro.
UEFA e dënoi Manchester City në 14 shkurt për thyerje të rregullave të Fair Play Financiar , klubi anglez reagoi duke apeluar çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv , e cila zhvilloi seancën dëgjimore të kësaj çështje në datat 8,9 dhe 10 qershor. Pasi studioi çështjen , u vendos rrëzimi i dënimit të UEFA kundrejt Manchester City.
Ky lajm fantastik e shuan frikën dhe e qetëson situatën tek klubi anglez. Tani Guardiolës dhe lojtarëve të tij u mbetet të përqendrohen tek Liga e Kampionëve e këtij sezoni dhe ndeshjen e ardhshme e kanë ndaj Real Madrit./R.P-dritare.net

















