Na ndiqni edhe në

Opinione

Doktor Drini, s’të merr dot vdekja nga zemrat e njerëzve

Doktor Drini, s’të merr dot vdekja nga zemrat e njerëzve

Nga Aleksander Cipa

In memoriam në 5-vjetorin e vdekjes së mikut tim Dr. Dobit
U bënë sot, pesë vite mungesë nga dita kur Doktor Drini ( Dobi) u bë lajm tronditës për shkak të frymëndaljes! Ndërsa u riktheve jetën shumë të tjerëve, si në lojë fatale, humbe tënden…
Pesë vite nga ajo ditë si sot, që shumëkush nuk do ta besonte se Dr. Drini vetë, aq befasishëm do të ngjitej në amëshim, ende e “E ka vendin në sofrën e zemrës.”,- siç thuhet në Gjirokastër.
Ishte në pik të maturisë dhe suksesit profesional.
U ndodh në kulm të zotësisë kur na u ndërpre si një profesionist, (nga të paktët që kishte Shqipëria e sotme).
Një pikëllimë që zgjat sa mungesa, la tek familja dhe të afërmit po se po, por gjithaq edhe tek kolegët dhe miqtë e tij, tek bashkëmoshatarët me të cilët ndau vijimësinë e lidhjeve.
Të tillë e pata miqësinë me të, në harkun kohor të dyzetë viteve, mes Gjirokastrës dhe Tiranës.
Nuk dinte të shpërfillte dhe nuk njihte të refuzonte arbitraritetin e telefonatave në kohë e pakohë të të interesuarve dhe pacientëve. Mes të parëve ( të të interesuarve) si mik i tij, gjendesha shpesh.
Nuk bezdisej, por plotësonte axhendën e orareve të ngjeshura të takimeve në klinikë dhe në Spital.
Dr. Drini dhe skulptori talent Ben Bajo, me ikjet e tyre tronditëse në flamën pandemike të COVID-19, më kanë lënë një thëngjill pikëllime si njohës, mik, bashkëqytetas dhe si “ të ardhur në Tiranë” nga Gjirokastra, për të mos qenë të panjohur nga të tjerët.
Në ikjen gati në të njëjtën kohë, të dy emrat e shquar, shkaktuan dhe lanë dhimbje edhe për shkak se u ndërprenë si të zotë dhe të shkëlqyer në punët e veta!
Më përmendnin dhe i përmendja, pa e ditur dhe pamvarësisht njeri-tjetrit, sipas rastit në përditshmërinë tonë metropolitane….
Natyrisht pa e keqpërdorur kurrë përmendjen apo çështjen.(!)
Dr. Drini sikundër edhe artisti Ben Bajo, janë dy bij të suksesshëm, talente të ndërprerë në fushat e tyre që po marrin provën, për të qenë të paharrueshëm.
Në këtë ditë të kalendarit të mungesës, nga gjendja e mosharresës, po e kujtoj dhe për miqtë, gjirokastritët dhe kolegët, Dr. Drinin e urtë..!
Në kësi rastesh, kujtesa ka vlerën e qiririt In memoriam, për një mik që nuk gjendet më, por shfaqet shpesh, pamvarësisht nga largësia eternike e kohës së ikjes së tij nën dhè!
Dr. Drini, në këtë ditë rikujtimi, më vjen ndihmuese shprehja e qytetit tonë për Ty: “Njeri që s’të merr vdekja nga zemra e njerëzve. Të tillët si Ty, nuk i merr dheu, por rrojnë tek dëshira e botës…./Marrë nga facebook-u i autorit