
Viti 2020/ Më shumë vdekje sesa lindje në Shqipëri!
Dritare.net
Përveçse një numër rekord vdekjesh, Shqipëria ka regjistruar dhe numrin më të ulët të lindjeve në dekada për vitin 2020. Në vitin 2019 janë regjistruar 28,561 lindje ndërsa për vitin 2020 u regjistruan 27,600 lindje, një ulje e lehtë me 3.3% . Diferenca e lindjeve mund të mos ketë qenë shumë e lartë por përsa i përket numrit të vdekjeve, janë regjistruar 27% më shumë se në vitin 2019.
Deri me 26 janar 2021 janë regjistruar 1,324 humbje jete nga Covid-19 por të dhënat tregojnë se numri aktual i vdekjeve i shkaktuar nga Covid-19 mund të jetë shumë më i lartë se kaq. Në 2019 u regjistruan 21,937 vdekje ndërsa në vitin që lamë pas humbën jetën 28,026 persona, ose rreth 6 mijë më shumë se viti i mëparshëm, duke shënuar një rekord historik. Të dhënat e vdekjeve dhe lindjeve sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.
Numri i vdekjeve për tremujorin e dytë 2020 rezulton 4.989, duke shënuar një rënie prej 3,1 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2019 ndërsa numri i vdekjeve për tremujorin e tretë 2020 rezulton 6.294, duke shënuar një rritje prej 25,7 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2019.
Në tremujorin e tretë 2020, numri më i vogël i vdekjeve u regjistrua në qarkun e Kukësit, me 138 vdekje, ndërsa ai më i lartë në qarkun e Tiranës, me 1.706 vdekje. Rritjen më të vogël në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të tretë 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 e ka qarku i Vlorës, me 2,6 %, ndërsa rritjen më të madhe në përqindje e ka qarku i Lezhës, me 46,4 %. INSTAT do të publikojë të dhënat e vdekjeve dhe lindjeve për tremujorin e katërt të 2020-tës në shkurt.
/S.F.-dritare.net

















