
Vilat e Bashës? Bushati: I humburi është opozitari i luksit. Haxhiu: Ka pasur pagë jashtëzakonisht të madhe!
Dritare.net
Akuzat e mazhorancës qeverisëse dhe kryesisht të kreut të Bashkisë së Tiranës për vilat e Lulzim Bashës ka qenë një nga temat e debatit mes Andi Bushatit dhe Baton Haxhiut në emisionin “Shock”.
Gazetari Bushati tha se ashtu siç tema e pallatit të Edi Ramës dhe Linda Bashës u kthye në çështje debati kur kreu i PS-së, ishte në opozitë, të njëjtën gjë po bën dhe mazhoranca. Sipas tij Basha nuk duhej të ishte zhvendosur për të jetuar në vilë private në një kohë kur akuzon qeverisë “Rama” si regjim.
“Përgjegjësia nuk i duhet kërkuar sulmuesve por atyre që nuk dinë të mbrohen. Do të duhej që të zhvendosej në fshatra ku ai vetë ka akuzuar? Një lider opozite në këto kohë kur jemi duhet t’ia kursej vetes këto lukse. Nuk shkon qe edhe të thuash jam në luftë me regjimin dhe të bësh opozita luksi. Këto gjëra nuk shkojnë dhe i humburi është opozitari i luksit”, tha Bushati.
Nga ana tjetër gazetari Baton Haxhiu u shpreh se Basha si lider i një partie të djathtë mund t’ia lejojë vetes që të jetojë në vilë dhe gjithashtu tha se kreu i PD-së ka punuar ndaj UNMIK-ut dhe mund t’ia lejoje vetes një shpenzim të tillë.
“Ka punuar për 6 vite në Kosovë dhe pagat i ka pasur jashtëzakonisht të mëdha. I takon një partie të djathtë dhe të qenit në një vilë nuk është ndonjë problem. Por brenda regjimit kur lejohet një luks i tillë, atëherë nuk ka regjim. Jemi në fushatë, Basha nuk di ta mbrojë arsyen pse është në vilën e tij. A ka ikur për shkak të tërmetit apo për të qenë në një hapësirë tjetër? Apo ka ikur te vila e një oligarku që është afër me pushtetin”, tha Haxhiu.
Për gazetarin Bushati, kjo sjellje e Bashës e bën atë në sytë e publikut të pabesueshëm për akuzat dhe pretendimet ndaj qeverisë.
“Ju kujtoni se ata ministra nuk kanë aq para? Ata kanë aq para sa për të mbajtur gjysmën e Tiranës me darkë te Nusreti. Politikani gjykohet me të njëjta standard si në opozitë ashtu edhe në qeveri”, tha ai.
Por nga ana tjetër, z. Bushati tha se këto akuza në gojën e Erion Veliajt nuk qëndrojnë dhe e cilësoi këtë sjellje si “pafytyrësi politike”.
“Përveç shijeve ai ka tagër të shohë nëse kërkesa për leje plotëson kushtet ligjore. E ka ndyrë Tiranën me kulla, e ka bërë një qytet të pajtueshëm dhe ka shkelur premtimin bazë që u zgjodh, kjo është një pafytyrësi politike dhe vetëm ai mund t’ia lejojë vetes që ta bëjë”, tha Bushati.
Në fund, Baton Haxhiu foli dhe për vilën e Edi Ramës në Surrel ku tha se, “është vila më e lirë nga 3 mijë vila që kam parë në Tiranë”./Euronews

















