
Video/ Rama publikon projektin e përfunduar: Si do të duket Porti i ri i Durrësit!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot me ndjekësit në Facebook projektin e përfunduar për ndërtimin e Portit të Durrësit. Rama shkruan se më në fund ka përfunduar projekti në studion urbanistike të Emaar Group në Dubai, që tani ndodhet në Portin e Durrësit, aty ku së shpejti do të nisë të ndërtohet një prej porteve më të mëdha e më të bukura turistike të Mesdheut.
“MIRËMËNGJES
dhe me maketin e përfunduar në studion urbanistike të Emaar Group në Dubai, që tani ndodhet në Portin e Durrësit, aty ku së shpejti do të nisë të ndërtohet një prej porteve më të mëdha e më të bukura turistike të Mesdheut, ju uroj një ditë të mbarë!”, njofton Rama.
Në nëntor të vitit të shkuar, qeveria shqiptare dakordësoi një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për transformimin e hapësirës portuale të Portit të Durrësit, një investim i cili pritet të transformojë totalisht pamjen dhe kapacitetin e këtij porti, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale dhe kombëtare.
Marina turistike e parashikuar, pritet të ketë hapësirë dhe kapacitete dyfish më të mëdha, krahasuar me marinën më prestigjioze në Mesdhe deri më tani, që është ajo e Porto Montenegros.
Porti i ri pritet të ketë infrastrukturë të përmirësuar për ankorimin e mjeteve lundruese, çka do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në vend./K.C/dritare.net

















