Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Tetori i vakët i Librit! Ministrja: Biblioteka t’i kalojë Qendrës së Bardhylit

Tetori i vakët i Librit! Ministrja: Biblioteka t’i kalojë

Tetori i librit, i gjen institucionet të papërgatitura pa platformë konkrete për leximin, librin e rishikim të TVSH-së. Në pritje të godinës së re, ministrja thotë se po kërkon që objekti aktual i Bibliotekës t’i kalojë Qendrës së Librit.

Përpara Bibiliotekës Kombëtare, me veprën e Migjenit në do çanta e një kalendar anemik, Ministria e Kulturës, Qendra e Librit e të tjera institucione mbështetëse, shpallin në datë 4 të muajit “Tetorin e librit”…

“Motoja e këtij tetori nuk mund të ishte ndryshe veçse ‘Libri afron botën’, thotë drejtorja e Qendrës Kombëtare për Librin dhe Leximin, Alda Bardhyli.

Dita e parë, e cila konsiderohet si ceremoniale, sërish me librat stoqe brenda godinës së Bibliotekës Kombëtare, nuk i ofron publikut asnjë stendë me libra, që t’i ndjellë kërshërinë, veç një baner që lajmëron ngjarjen e madhe.

“Përsa kohë që kjo godinë nuk arrin t’i përmbushë kërkesat për një Bibliotekë Kombëtare kemi parashtruar kërkesën tonë delegacionit që kjo të jetë një hapësirë që duhet të vazhdojë të përdoret nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, ose pse jo një pjesë e saj, sipas asaj që do të na thonë ekspertët të jetë një minibibliotekë qyteti”, shprehet Ministrja e Kulturës Elva Margariti, ndërsa përsëriti se godina e re do të jetë pjesë e Qendrës për Fëmijë, pranë Parkut të Liqenit.

“Nëse vjen një kërkesë pranë Ministrisë sidomos për të organizuar një festival, nuk ka pse të mos mbështetet. Lidhur me seleksionimet e tipit preferencial nuk futemi në konkurenca të emrave me një nisëm, mendoj se duhet shikuar në më ‘makr’, të shikohet përtej”, shton më tej Margariti.
As Ministria e Kulturës, as Qendra e Librit nuk mund të flasë për një platformë konkrete, përveç programeve mbështetëse me grante, ku të përfshiheshin statistika mbi leximin, problematika që përfshijnë të gjitha hallkat lexues-librari-botues-shtypshkronjë dhe një propozim për zgjidhjen më të mirë. Përshkallëzimi i TVSH-së, nga shtypshkronja në botues me 20 përqind, e më tej nga shtëpitë botuese tek librarët me 6 përqind thuhet se do të rishikohet, por s’dihet se kur.

“Pikërisht këtë muaj do të mbledhim Këshillin Kombëtar të Librit. Kemi nxjerrë disa pika diskutimi ku njëra prej tyre është tvsh, që ka ngelur si problematikë”, thotë ministrja.
Lexime, ku të ftuar do të jenë edhe figura politike si Elisa Spiropali dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolli, dhe aktorë të librit, do të shpalosin gjatë ditës së dytë sensibilitetin për Luftën Në Ukrainë, ndërkaq ëorkshope, simpoziume, takime me librarë, studiues e autorë vijojnë deri në datë 26 tetor, ku Qendra e Librit i lë hapësirë “Open book”, aktivitet që pritet ta zbulojmë në ditët e fundit të Festivalit./shqiptarja.com