
SPAK kontrolle në banesën dhe zyrën e biznesmenit Artan Dulaku
Dritare.net
Në kuadër të hetimeve që SPAK po zhvillon prej 2 vitesh për tjetërsimin e pronave të ushtrisë në Sarandë, mësohet se ditën e sotme janë ushtruar kontrolle në banesën dhe zyrën e biznesmenit Artan Dulaku. Kontrollet janë ushtruar me kërkesë të prokurores Manjola Kajana dhe me vendim të GJKKO-së, ndërsa agjentët e BKH-së janë mbështetur edhe nga Policia e Shtetit.
Në bazë të këtyre hetimeve, me vendim të GJKKO është vënë në sekuestro edhe Portin e Limionit, një bazë e Forcave Detare, pronë e ushtrisë shqiptare e cila në korrik të viti 2020, me vendim të qeverisë, i është dhënë me qira, si pjesë e një territori shumë më të madh, prej mbi 265 mijë metrash katrorë, bashkimit të shoqërive “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a., përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk, si qiramarrës. Shoqëria parashikon ndërtimin e një kompleksi hotelesh, rezidencash dhe një port jahtesh që do të ofrojë mundësinë për ankorim, për 400 anije. Kërkesa e shoqërisë “Marina Bay Saranda” për heqjen e sekuestros për bazën detare në qytetin bregdetar është rrëzuar edhe nga Gjykata Kushtetuese më 12 nëntor 2024.
Hetimi nisi pas kallëzimit në SPAK nga ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari në vitin 2021 kundër vendimit të Këshillit të Ministrave, që më 1 korrik 2020 vendosi që Baza Detare Limion me një sipërfaqe të përgjithshme mbi 265 mijë metra katrorë, t’i jepej me qira për 20 vjet me tarifën simbolike 1 euro bashkimit të 2 shoqërive. Baza detare e Sarandës do të qëndrojë e sekuestruar derisa Prokuroria e Posaçme të dalë me një vendim për hetimin e nisur lidhur me procedurat e ndjekura për dhënien me qira te privati të pronës së ushtrisë. /L.F-dritare.net

















