Rudina Xhunga: Uroj që rroga e 13-të, të nisë në Shqipëri, nga mësuesit!
Dritare.net

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Mësuesi i Vitit” nga Fondacioni “Mirash Ivanaj”, foli dhe gazetarja Rudina Xhunga, më emër të Dritare Tv që promovoi gjatë gjithë këtyre muajve çmimin për mësuesin e vitit të Fondacionit “Mirash Ivanaj”.
“Jam shumë e kënaqur që po përmbyll këtë aktivitet, sepse më ka emocionuar shumë. Më ka emocionuar që në momentin e parë kur drejtuesi ekzektutiv i Fondacionit, Rezart Spahia, foli për këtë iniciativë,” - tha ajo. Rudina theksoi lidhjen e saj personale me mësuesit: “Unë jam fëmijë mësuesish dhe, edhe pse jam gazetare, në fakt jam diplomuar si mesuese. Ndaj ndjej një lidhje të thellë me çdo mësues, sepse e di sa e rëndësishme është roli i tyre. Kur secila prej jush flet, unë ndjej emocione të forta. Ju jeni të gjitha të bukura, të jashtëzakonshme, frymëzim dhe fat për ne.”
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e dëgjimit dhe përfshirjes së secilit mësues: “Është e rëndësishme të dëgjoj secilin prej jush. Kam intervistuar deri tani vetëm Znj. Majlinda Ziu, por do doja të intervistoja secilën prej jush, sepse kjo iniciativë e Fondacionit është një projekt pilot që sapo ka nisur dhe ka potencial të vazhdojë dhe të shtrihet në gjithë Shqipërinë. Kur një person fillon diçka të mirë, shumë të tjerë e ndjekin shembullin.”
Duke lidhur iniciativën me vlerat kombëtare, gazetarja u shpreh: “Uroj që iniciativa të tilla të zgjerohen dhe të bëhen shumë të tilla, duke filluar që nga rroga e 13-të që uroj të nisë në Shqiperi me mesuesit. Kur fëmijëve u bëjmë të njohin dhe të vlerësojnë ata që edukojnë, ata mësojnë të kenë krenari për vendin e tyre dhe të mos e harrojnë kurrë. Ju jeni arsyeja pse ne e duam këtë vend dhe pse mund të besojmë tek e ardhmja e tij. Faleminderit shumë për gjithçka që bëni, për energjinë dhe idetë tuaja që na rrisin çdo ditë.”- e mbylli Rudina Xhunga fjalën e saj në Ceremoninë e Mirënjohjes për mësuesit, organizuar nga Fondacioni “Mirash Ivanaj”/dritare.net