Rama: Inkurajoj hetimin e SPAK për origjinën e pronës!
Dritare.net

Lidhur me hetimin e SPAK për investimin në Zvërnec, kryeministri tha se e inkurajon investigimin për origjinën e pronës, pasi u pyet nga gazetarët për sekuestron e llogarisë bankare të “Albania Land Development”. Rama tha se burimet financiare të investitorëve kanë rezultuar legale. Ai theksoi se investimi vazhdon dhe nuk do të ndalojë sa kohë të jetë ai.
“Kjo e SPAK-ut ka dy pjesë; pjesën pozitive që i takon SPAK-ut dhe pjesën e shëmtuar që i takon zëdhënësve të vetofruar të SPAK-ut. Pjesa pozitive është pjesa e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Për sa kohë ky është një problem i ngritur, me apo pa të drejtë dhe i shumëpërfolur, aq më tepër për sa kohë kjo lidhet me një hetim të nisur sa i takon subjektit, është shumë pozitive që SPAK ta hetojë origjinën e kësaj prone, është e mirëseardhur dhe e nxis këtë hetim. Pjesa e shëmtuar është ajo e zëdhënësve të vetofruar që ndajnë gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha pasi investitorët që sot janë zotëruesit e pronës sipas legjislacionit shqiptar, janë investitorë me reputacion të padiskutueshëm, burimet financiare për të përcjellë pagesën janë investiguar imtësisht nga Agjencia e Pastrimit të Parave dhe kanë rezultuar totalisht legale dhe të ardhura nga institucione financiare me reputacion global. Kjo çështje, siç është me dy pamje, duhet ndarë në dy pjesë. Investimi vazhdon me pronarët e rinj dhe të ligjshëm dhe në rast se nxjerr një tjetër origjinë prone, ata që kanë të drejtën e asaj prone, mund të marrin ato para dhe të gjitha janë të lumtura përveç palës që ka mashtruar. Do t’u bëja thirrje zëdhënësve të vetofruar që të mendohen disa herë për të shkruar disa të vërteta sepse cenojnë Shqipërinë. Dihet kush janë investitorët sepse janë njerëz me reputacion. S’ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do të jem këtu. Unë jam absolutisht i hapur për të diskutuar me këdo që ka pretendime, por duhet të sqarojmë për çfarë janë pretendimet. Nëse janë për pronën, ka rrugën e vet dhe mund të çojë në zgjidhje ideale”, tha Rama.