
Putin: Nëse nuk do t'ia kishin vjedhur fitoren Trump-it në 2020-ën, nuk do të kishte luftë në Ukrainë
Dritare.net
Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se ishte "i hapur për diskutime" me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të punuar së bashku për çështje të tilla si lufta në Ukrainë dhe çmimet e energjisë, duke thënë se do të ishte një ide e mirë që të dy të takoheshin.
Megjithatë, Putin i tha një gazetari të televizionit rus se çështja e negociatave me Ukrainën është e ndërlikuar nga fakti se presidenti i saj Volodymir Zelensky ka nënshkruar një dekret që e pengon atë të zhvillojë bisedime me Putinin.
Në fakt, ai vuri në dukje se aleatët e Zelensky-t duhet ta detyrojnë atë të heqë ndalimin e negociatave: "Ai (Zelensky) nuk po nxiton të ndjekë udhëzimet e sponsorëve të tij dhe ne e dimë se ka udhëzime të tilla, për të anuluar dekretin që është nxjerrë dhe ndalon negociatat. Mendoj se në fund, ata që paguajnë para duhet ta detyrojnë atë ta bëjë këtë."
Putin tha se nuk pret që presidenti amerikan të marrë vendime për sanksione që do të ndikojnë negativisht në ekonominë amerikane. "Ai nuk është vetëm i zgjuar, por edhe realist. Dhe vështirë se mund ta imagjinoj se ai do të marrë vendime që do të dëmtojnë ekonominë amerikane. Prandaj, ndoshta, do të ishte më mirë që ne të takoheshim, bazuar në realitetet e sotme, të bisedonim me qetësi për të gjitha ato fusha që janë me interes si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për Rusinë. Ne jemi gati. Por, e përsëris, kjo varet në radhë të parë, natyrisht, nga vendimet dhe zgjedhjet e administratës aktuale amerikane”.
Presidenti rus tha gjithashtu se "kriza e Ukrainës" në vitin 2022, viti në të cilin Kremlini filloi konfliktin, ndoshta mund të ishte shmangur nëse Donald Trump do të kishte qenë në Shtëpinë e Bardhë.
"Unë mund të pajtohem vetëm me (Donald Trump) se nëse ai do të ishte president. Nëse nuk do t'i kishin grabitur fitoren në 2020-ën, ndoshta nuk do të kishte nisur lufta në Ukrainë në 2022-shin.", tha ai në deklaratë./K.C/dritare.net

















