Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pse Alibeaj këmbëngul për hapjen e dosjeve!

Pse Alibeaj këmbëngul për hapjen e dosjeve!

Në rubrikën “Komenti i Ditës”, nga Dritan Hila në Dritare TV u diskutua për kërkesën e Enkelejd Alibeaj për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

Në një analizë, zoti Hila tregoi arsyet që qëndronin pas kësaj nisme dhe cilat do të ishin efektet që do të kishte në PD në veçanti dhe politikën shqiptare në përgjithësi.

"Zoti Alibeaj është ai që po kërkon me ngulm hapjen totale të dosjeve. Le të themi që argumenti se hapja e dosjeve duhet për të pastruar shoqërinë shqiptare mua më duket pak i tejkaluar nga koha. Kanë kaluar 30 vjet nga rënia e komunizmit dhe vështirë të besoj që një pjesë e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit kanë ende një rol dhe kanë ende një rol deçiziv në vendimarrjen shqiptare. Por kjo e bën që të eliminojnë disa elementë që gjatë gjithë kësaj kohe janë akuzuar si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Kjo normalisht nuk i heq ndonjë forcë të madhe elektorale PD, fraksionit të zotit Berisha. Por zoti Alibeaj shpreson të shtohet dhe një klauzolë e cila thotë që përjashtohen nga pjesëmarrja në jetën politike funksionarë të rëndësishëm të Partisë së Punës, gjë që godet drejtpërdrejtë zotin Berisha. Sepse ai ka qenë për një periudhë kohe Sekretar i organizatës bazë të spitaleve. Kjo e përjashton atë automatikisht nga pjesëmarrja në Parlament. Se sa rezultative do jetë kjo në fushën politike me shifra nuk mund ta themi, por është një goditje. Në planin moral është një farë mënyre për të shmangur kundërshtarin me një lëvizje deus ex machina, sepse si politikan ai duhet të ishte dënuar nga vota popullore.

Por mesa duket fraksioni i grupit Alibeaj, duke qenë se nuk ia kanë dalë në terren ta mposhtin Berishën, po provojnë ta mposhtin nëpërmjet një triku ligjor, i cili e nxjerr atë nga jeta politike. Berisha nuk është një personazh që fuqinë e vet e ka të mbështetur tek letrat, tek dokumentat zyrtare apo te vulat. Më shumë se sa një element zyrtar, pra një udhëheqës i zgjedhur me anë të procedurave, është një udhëheqës shpirtëror. Berisha tashmë pas 30 vitesh në planin qëndror të politikës, nuk ka nevojë për letra. Por atij i ka krijuar një problem shumë të madh shpallja non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, një përjashtim nga Partitë Popullore, përjashtimi që i bëri Lulzim Basha nga PD dhe tani përjashtimi si një funksionar i lartë i Partisë së Punës. Të gjitha këto janë shumë edhe për zotin Berisha dhe ia ulin valencën e tij politike. Megjithatë Berisha mund të falë shumë gjëra, por jo siglën e PD sepse ajo është një brand. I shpallur non-grata nga fuqitë më të mëdha, i shplallur non-grata edhe nga Parlamenti dhe sigla e PD, kjo do të ishte më pas një Waterloo përfundimtare për Berishën”, u shpreh zoti Hila në Dritare TV/M.K/dritare.net