
Pas 6 orësh përfundon intervistimi i Hashim Thaçit në Hagë!
Dritare.net
Ka përfunduar intervistimi gjashtë orësh i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai në një prononcim për media ka thënë shkurt se intervistimi do të vazhdojë nesër.
“Unë sot kam dëgjuar shkëmbimet e teknikaliteteve të ndryshme në mes të avokatit dhe prokurorëve, çështje sqaruese teknike, e në të njëjtën kohë edhe ato fillestare të interesimit të prokurorëve për UÇK-në kështu që do të vazhdon nesër”, ka thënë Thaçi.
Më herët në hyrje të tribunalit të Prokurorit Special, Thaçi tha se është aty për të respektuar atë për të cilën ka luftuar dhe ëndërruar.
“Sot jam këtu për të respektuar atë që kam ëndërruar dhe për të cilën kam luftuar. Një Kosovë e lirë e pavarur e bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multietnike dhe sundim i ligjit. Jam i gatshëm të përballem me sfidën e re dhe të ngadhënjej për djalin tim, familjen time, njerëzit e mi dhe shtetin tim. Asnjëri nuk mund të rishkruajë historinë. Ky është çmimi për liri. Besoj në paqe, të vërtetën dhe drejtësinë. Besoj në dialog dhe marrëdhënie të mirë me gjithë fqinjët. Kosova është storje suksesi dhe jam shumë krenar. Destinacioni i Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi e përhershme me SHBA-në”,- ka thënë Thaçi para selisë së Speciales./ I.M-Dritare.net

















