Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Parid Turdiu: Ju tregoi historinë e motrës sime, Silva Turdiut!

Parid Turdiu: Ju tregoi historinë e motrës sime, Silva Turdiut!

Parid Turdiu, vëllai i Silva Turdiut, një emër i njohur në historinë e sportit shqiptar dhe dikur e fejuara e Skënder Shehut, djalit të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu. Ka folur për emisionin Dekalog në DritareTv.

Ai ka folur për periudhën e vështirë kur motra e tij, Silva, ishte e përfshirë në hetuesi.

Turdiu ka kujtuar momentin e dytë kur Silva u thirr nga hetuesia, kur një oficer i policisë shkoi në shtëpi dhe i kërkoi asaj të paraqitej në burgu 313. Për të shmangur shqetësimin e prindërve, Paridi e shoqëroi motrën e tij, dhe ai e përshkruan atë moment të mbushur me ankth.

Parid Turdiu ka rrëfyer periudhën e vështirë që kaloi familja e tij gjatë regjimit komunist, ku u përballën me ndëshkime. Sipas tij, edhe pse nuk u internuan dhe nuk u burgosën, ata përjetuan një izolim nga shoqëria, duke u përjashtuar nga shkollat dhe puna.

Sipas tij një nga ndëshkimet më të rënda që Silva, ka përjetuar ishte heqja e saj nga sporti.

“Morëm lajmin për internim. Ne bëmë gati valixhet, babi shkoi mori disa para që ti kishim me vete dhe ishim gati pasi kishim dëgjuar se do na internonin. Na u tha se organizata e partisë së lagjes kishte marrë vendimin që ta internonin. Ne nuk u internuam dhe njerëzit filluan të vrisnin mendjen se kush i mbron këta. Dhe më vonë, pasi ra komunizmi, morëm vesh se kryetari i fshehtë i komisionit të internimeve që na kishte mbrojtur paska qenë Manush Myftiu.

Ne nuk u internuam as nuk u burgosëm, por u përjashtuam nga shkolla. Na pushuan nga puna dhe madje edhe kushërinjtë e mi u përjashtuan nga shkollat e tyre. Komunistët çuditeshin dhe thonin si ka mundësi që me këto gjëra që kanë bërë këta janë akoma në Tiranë. Në atë kohë, ne ishim të mësuar se nga këta mund të prisnim çdo gjë, na dukej vetja sikur ishim të pushtuar. Nga pikëpamja psikologjike ishim të përgatitur dhe përveç kësaj kishim një rreth të madh familjar që qëndruan solidar. Silven e hoqën edhe nga sporti. Na përjashtuan nga fundi i vitit 1983, sepse Enver Hoxha vendosi të publikonte librin "Titistët". Enveri e kishte kopsitur të gjithë këtë situatë, kishte zbuluar lidhjen me Mehmet Shehun dhe shkruante në libër për familjen time që kishte 7 kriminelë të arratisur.

Silven e morën dy herë në hetuesi për ta pyetur lidhur me ngjarjen, pra për t’i marrë dëshminë. Erdhen dhe i thanë babait se vajza duhet të shkonte në mes të natës në bodrumet e Ministrisë së Brendshme për hetuesi dhe atë herë Silva shkoi me babin.

Heren e dytë erdhi polici te dera dhe dola unë, dhe më tha se motra duhet të paraqitej te burgu 313. Nuk i thamë prindërve sepse nuk donim t’i shqetësonim, ndaj e shoqërova unë Silven. Ishte një moment shumë i vështirë, sepse nuk e dija nëse do ta mbanin apo do ta lironin. Dhe ajo që unë i kam thënë ishte: Kujdes Silva, mos përmend njerëz të tjerë në hetuesi. Në fejesën e Silves u përfshinë shumë njerëz, ndaj duhej pasur kujdes.

Silva çdo gjë që bën e bën mirë, është zonjë grua, ishte nxënëse e 10 në atë kohë dhe gjithashtu ishte sportiste e shkëlqyer. Edhe sot, në profesionin që bën, është shumë e suksesshme."- U shpreh Turdiu/E.P-dritare.net