
Një histori e vërtetë me Postën Shqiptare/ Si na u vonua zarfi 3 muaj!
Dritare.net
Tre muaj sorollatje për një zarf dhe kjo të ndodh vetëm me Postën Shqiptare e cila nuk ka pikën e përgjegjësisë për këto shërbime.
Për të aktivizuar llogarinë e Youtube të dritare.net “Rudina Xhunga”, neve na duhej një kod që Google Adsense do ta sillte në Shqipëri. Normalisht këtë pin duhet ta kishim marrë në dorë që në korrik.
Por sot shënon data 18 shtator dhe më në fund pas kaq shumë sorollatjesh nga Posta Shqiptare, e morëm.
Çfarë ndodhi?
Më datë 23.06.2020 Google Adsense na dërgoi pinin e parë në Shqipëri. Ky kod do të vinte 2-3 javë që nga momenti i dërgimit dhe Posta Shqiptare kishte për detyrë të na e dërgonte në zyrë, sipas adresës që ne u kishim dërguar, ose të paktën të na njoftonte që na ka ardhur një zarf.
Kodi i parë nuk erdhi, as i dyti i cili u nis nga Google Adsense më 23.07.2020. Ndërsa të tretin që u nis më 20.08.2020, më në fund e morëm, pas një muaji nga koha e nisjes dhe pasi kishim bërë kërkesë për kodin e katërt, pasi asnjë nga të parët nuk na erdhi në zyrë.
Dhe as nuk erdhi, por e morëm vetë pasi u interesuam te Posta Shqiptare.
Fillimisht ne shkuam te “Posta Shqiptare Tirane ZP Nr.8 – 1019”, adresa postare që i kishim dhënë Google Adsense për të na e sjellë këtë kod, e cila më pas do të na e sillte në zyrë, ose të paktën do të na njoftonte se një kod kishte shkuar në zyrat e tyre.
Kur shkuam te “Posta Shqiptare Tirane ZP Nr.8 – 1019” dy javë më parë, na thanë se ishte vetëm postë dërguese, jo marrëse.
Pastaj shkuam te “Posta Shqiptare, Tiranë ZP Nr.2 – 1060”, e cila herën e parë tha që nuk ka porosi dhe të dytën na tha se e sjell vetë postieri në zyrë. Jo, asnjë zarf nuk erdhi në zyrë dhe duhej të shkonim dy herë për të na thënë që këto lloj porosish nëse nuk vijnë në zyrë, shkojnë te “Posta Shqiptare Filiali Tranzit – 1700” në Kinostudio.
Normalisht, në momentin kur një porosi vjen në zyrat tuaja, duhet të njoftoni Posta Shqiptare, jo të na sorollatni kaq shumë.
Por kjo histori nuk përfundon këtu. Dje shkuam te posta në Kinostudio në orën 14:31. Ishte mbyllur, ndërkohë që orari zyrtar i mbylljes ishte 17:00 ose 15:00 siç na tha një punonjës si postës. Por ne shkuam 14:30, ku ishin? Epo as këtu nuk morëm gjë. Shkuam sërish sot, ora 14:00, me shpresën se të paktën do të merrnim gjë. Zyrën ku do ta merrnim zarfin e gjetëm sërish të mbyllur, një orë para orarit që ata kishin vendosur dhe 3 orë para mbylljes zyrtare. As sot nuk do ta kishim marrë, nëse nuk do të insistonim te roja i zyrave të Postës që do të pyeste më pas punonjës të tjerë brenda. Na lanë 45 minuta në pritje, deri sa më në fund e morëm atë zarf. 1 orë pritje te posta, por tre muaj që nga dërgimi i kodit të parë, e përfundimisht morëm të tretin. Punonjësja që na dorëzoi zarfin, na tha se adresa e zyrës ishte vënë gabim, pasi postieri nuk e kishte gjetur, prandaj nuk ka ardhur kodi.
Nuk ishte gabim, pasi çdo porosi që kemi na vjen në adresën që është në faqen e dritare.net dhe që ishte mbi zarfin e kodit.
Tani ka vetëm dy mundësi: Ose Posta Shqiptare e ka inatin me median dhe sa herë që media ka ndonjë porosi i vonon kështu si ne. Ose e dyta dhe më e rënda është kur ia bën medias që mund të flasë, e çfarë mund t’u bëjë atyre që nuk flasin dot?/dritare.net

















