
Mjeku shqiptar në SHBA: Mos kini frikë, bëjeni vaksinën e AstraZenekës!
Dritare.net
Mjeku shqiptar në Nju-Jork Sulejman Çelaj ishte sot në Shqip show në DritareTv për të folur për Covid-19, betejën e tij me virusin vdekjeprurës dhe situatën në SHBA.
“Unë e kalova virusin në fillim të janarit dhe pata shumë pak simptoma. Gjatë gjithë kohës isha aktiv. Edhe pse me Covid-19 bëja ecje 8 kilometra çdo ditë, me maskë dhe në vende pa njerëz. Tani që kam kaluar kovidin, vazhdoj ushtrimet në mënyrë të rregullt. Unë nuk jam vaksinuar sepse kam antitrupa dhe përderisa kam antitrupa nuk besoj që kam nevojë dhe ua lë radhën atyre që kanë nevojë. Unë jam 5 vjeç, jam shumë aktiv fizikisht, ushtrohem gati çdo ditë. Kështu që nuk kam probleme mjekësore, kam imunitet natyral. Besoj që kam kohë të pres deri sa të më humbë imuniteti dhe pastaj patjetër që do të vaksinohem.”, u shpreh mjeku për Shqip Show.
I pyetur për situatën në SHBA mjeku u shpreh se, rastet e reja kanë rënë ndjeshëm në Nju-Jork dhe 50 shtetet e Amerikës dhe ky është një lajm i mirë thotë Çelaj:
“Virusi është i paparashikueshëm dhe po vjen me valë-valë dhe s’e dimë në cilin vend po shkon më parë. Këtu në Nju-Jork ka një rënie të theksuar të njerëzve që dalin pozitivë. Në përgjithësi kemi një rënie dhe situata vazhdon të përmirësohet. Nuk e di a është vaksinimi, natyra e virusit apo diçka tjetër që nuk po arrijmë ta kuptojmë. Sido që të jetë është një lajm shumë i mirë për ne. 50 shtete këtu në SHBA janë komplet të hapura, nuk kanë asnjë kufizim, pengesë që të vazhduar jetën, maskat nuk janë të domosdoshme dhe nuk shohim ndonjë shpërthim katastrofik siç ishte në mars dhe prill të vitit të kaluar. Biden është zotuar se në 100 ditët e para do të vaksinojnë mbi 100 mijë njerëz. Por jemi shumë larg këtij numri, por po punohet, vaksinimi vazhdon çdo ditë. Nuk e di çfarë mund të ndryshojë një politikan kur çështja është mjekësore.”
A ka një informacion shkencor për efekte shoqëruese të vaksinave dhe vaksinimit?
"Si çdo vaksinë tjetër edhe kjo mund të japë efekte anësore, simptoma, ka edhe njerëz që kanë vdekur. Por a është e vërtetë lidhja mes vaksinës dhe vdekjes, duhet të presim analizat ekspertëve. Sidomos ato patologjike ndoshta do të jetë e pamundur që të konstatojmë se kanë vdekur nga vaksina. Po shohim problemin e AstraZenekës, por duke qenë se vlerat janë aq të ulëta për efektet anësore, nuk besoj se duhet të keni frikë, apo të hezitoni për të marrë vaksinën. Ky është mendimi im dhe jo vetëm i imi, por edhe i ekspertëve botërorë. Sepse nëse do të shohim një ngritje të efeteve anësore dhe vdekjeve, atëherë duhet të shqetësohemi të gjithë. Por tani, duke parë që numrat janë shumë të vegjël unë besoj se vaksinimi duhet të vazhdojë.”,- tha mjeku për Shqip Show në DritareTV./K.C/dritare.net

















