Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ministri Blendi Gonxhja: Kullat, një mundësi e re për zhvillimin ekonomik dhe turizmin

Ministri Blendi Gonxhja: Kullat, një mundësi e re për zhvillimin

Ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, në takimin e tij në Malësi të Madhe prezantoi një nga iniciativat më të rëndësishme për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në vend, duke vënë theksin te programi kombëtar për rijetëzimin e kullave në Shqipërinë e Veriut. Gjatë fjalës së tij, ai nënvizoi se ky projekt jo vetëm synon të mbrojë dhe të rikthejë në funksion një nga simbolet më përfaqësuese të identitetit kulturor, por edhe të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik, punësim dhe diversifikim të ofertës turistike në zonat ku po zbatohet.

Më poshtë fjala e plotë:

Si Ministër i Turizmit dhe Kulturës, kam kënaqësinë të prezantoj një nga projektet kryesore në kuadër të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë sonë kulturore. Ky program synon të mbrojë dhe të rijetëzojë një nga elementët më përfaqësues të identitetit kulturor në Shqipërinë e Veriut, duke e bërë atë pjesë aktive të jetës së sotme. Në të njëjtën kohë, ai kontribuon në kthimin e kësaj trashëgimie në një aset me vlerë për zhvillimin ekonomik dhe social të komuniteteve lokale.
Programi i rijetëzimit të kullave në Shqipërinë e Veriut është aktualisht në një fazë të konsoliduar zhvillimi institucional dhe teknik.

Gjatë periudhës 2023–2025, përmes një projekti pilot të zbatuar në bashkëpunim me GIZ Albania, u krijua një model funksional për integrimin e kullave në ofertën turistike. Në këtë fazë u përfshinë 20 kulla, bujtina dhe njësi agroturizmi, u zhvilluan itinerare të strukturuara turistike dhe u forcuan kapacitetet e operatorëve lokalë në shërbime, mikpritje, promovim dhe interpretim të trashëgimisë kulturore.

Bazuar në rezultatet e kësaj faze, në nëntor 2025, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, lançoi Programin Kombëtar për Rijetëzimin e Kullave dhe formalizoi bashkëpunimin me GIZ Albania përmes një Memorandumi Mirëkuptimi. Aktualisht, puna është e fokusuar në ndërtimin e një baze të plotë të dhënash dhe në përgatitjen e ndërhyrjeve konkrete.
Në këtë fazë janë ndërmarrë këto aktivitete kryesore:
Inventarizimi i kullave në katër qarqe: Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës; hartëzimi digjital përmes sistemit GIS; analiza e statusit ligjor dhe e pronësisë; zhvillimi i koncepteve të projekteve të restaurimit në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës; si dhe hartimi i rekomandimeve për funksionalizim në fusha si muzealizimi, etnografia, muzikologjia dhe trashëgimia kulinare. Paralelisht, po përgatitet një program i plotë dhe i integruar i rijetëzimit të kullave.

*Janë inventarizuar dhe dokumentuar 523 kulla, duke përfshirë elemente të arkitekturës, etnografisë, trashëgimisë kulinare dhe potencialit turistik.* Është ngritur një platformë digjitale GIS që shërben si instrument për planifikim dhe vendimmarrje.

Deri më tani janë zhvilluar *6 seminare sensibilizuese me mbi 300 pjesëmarrës nga komunitetet lokale, janë përfshirë aktivisht 13 bashki dhe është krijuar një lidhje e drejtpërdrejtë me universitetet, ku 39 studentë kanë kontribuar dhe janë realizuar 28 projekte restaurimi.* Në këtë proces janë mobilizuar 8 fusha të ndryshme ekspertize, duke garantuar një qasje multidisiplinare.
Në këtë kuadër, një element i rëndësishëm i programit është ndërthurja e trashëgimisë materiale me atë jomateriale. Në aspektin material, fokusi qëndron te kullat si objekte të trashëgimisë, të mbështetura nga projektet e studentëve dhe modelet konkrete të restaurimit. Në aspektin jomaterial, elementë si lahuta, xhubleta dhe “Oja”, të përfshira në listat e UNESCO-s, përbëjnë një pjesë thelbësore të identitetit kulturor që lidhet drejtpërdrejt me këto hapësira.

Ky bashkëpunim është shoqëruar edhe me *dokumentimin e plotë të kullave përmes teknologjive bashkëkohore, si skanimi me lazer dhe modelimi volumetrik 3D, duke krijuar një bazë të saktë dhe të standardizuar për ndërhyrjet e ardhshme restauruese.*

Ndërkohë, po zhvillohen analiza të detajuara mbi statusin ligjor dhe pronësinë e kullave, ndërsa në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës po hartohen projekte konkrete restaurimi. Programi përfshin gjithashtu rekomandime për funksionalizimin e kullave si bujtina, muze dhe hapësira për aktivitete kulturore.
Një komponent i rëndësishëm i punës aktuale është adresimi i çështjeve të pronësisë, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, e cila i është bashkuar rrjetit të partnerëve të programit, si dhe krijimi i kushteve për tërheqjen e investimeve private në këto asete. Në këtë kuadër, po vijon puna në terren për asistimin e aplikantëve në procesin e pajisjes me certifikata pronësie, me synim përshpejtimin dhe lehtësimin e procedurave për përfituesit.
Këto ndërhyrje kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit. Kullat krijojnë një produkt të diferencuar që lidhet me përvojën autentike, duke zgjeruar ofertën turistike përtej sezonit dhe përtej destinacioneve tradicionale, me një fokus të veçantë në zhvillimin e turizmit malor. Integrimi i tyre në itinerare të strukturuara rrit kohëqëndrimin e vizitorëve, krijon zinxhir vlere për ekonominë lokale dhe aktivizon zona që deri më tani kanë qenë jashtë hartës turistike.

Gjithashtu, kullat kontribuojnë drejtpërdrejt në forcimin e autenticitetit dhe në ndërtimin e brandit turistik të Shqipërisë. Ato përfaqësojnë një element të veçantë dhe të dallueshëm të trashëgimisë sonë, duke krijuar një ofertë që nuk mund të replikohet lehtësisht në tregje të tjera. Përmes rijetëzimit të tyre, Shqipëria pozicionohet si një destinacion që ofron përvojë reale, identitet kulturor dhe autenticitet, elementë kyç për konkurrueshmërinë në turizmin ndërkombëtar.

*Në fazën e ardhshme, programi parashikon kalimin në zbatimin e plotë gjatë periudhës 2027–2029.*
Kjo fazë përfshin angazhimin buxhetor të Ministrisë, bazuar në rekomandimet e programit, me një planifikim fillestar prej *400,000 euro për vitin 2027*, me pritshmëri për rritje në vitet në vijim. Paralelisht, do të nisë zbatimi i programit kombëtar trevjeçar, i cili do të fokusohet në restaurimin, funksionalizimin dhe integrimin e kullave në rrjetin turistik kombëtar./dritare.net