
Mbyllen aplikimet për diasporën. Sa emigrantë do të votojnë!
Dritare.net
Regjistrimi i diasporës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit u mbyll në orën 00.00 të datës 4 mars. Në total janë regjistruar 294,155 kërkesa nga zgjedhësit jashtë Shqipërisë për të votuar më 11 maj.
231,684 kërkesa janë aprovuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërsa kërkesat janë refuzuar për 41,961 zgjedhës. Ndërkohë, sipas të dhënave nga KQZ, janë 20,510 kërkesa në shqyrtim, për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka 5 ditë afat për shqyrtimin e tyre.
Lista paraprake me emër, mbiemër, qarku ku shkon vota dhe shteti nga vjen zarfi, do të publikohet më datën 9 mars. Vetëm ata që janë në sistem dhe kanë pasaktësi në regjistër, kanë 48 orë kohë të kërkojnë ndryshime.
Sa i takon qarqeve ku do të votojnë zgjedhësit nga jashtë, Tirana ka numrin më të lartë të kërkesave të aprovuara. Tirana është po ashtu qarku që prodhon numrin më të madh të mandateve, plot 37 mandate. Fieri është qarku i dytë me numrin më të lartë të votuesve nga jashtë, ndjekur nga Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora, Shkodra, Berati, Lezha, Dibra, Gjirokastra dhe Kukësi.
Kështu përmbyllet një proces historik, që për herë të parë i hap rrugë votës së diasporës në vendin tonë. Regjistrimi kishte nisur që më 11 janar dhe u mbyll më 4 mars.
Për zgjedhjet e 11 majit do kenë mundësinë të votojnë edhe ata emigrantë që janë regjistruar me karta dhe pasaporta të skaduara, ndërkohë që posta për dërgimin e zarfit dhe më pas kthimin e tij në Shqipëri do të jetë falas./L.F-dritare.net

















