
Konferenca e NATO-s në Tiranë/ Policia shpall planin e masave dhe kufizimet e qarkullimit
Dritare.net
Në kuadër të zhvillimit të Konferencës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, që do të mbahet nga data 8 deri më 10 tetor 2025 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë këtij aktiviteti ndërkombëtar.
Në njoftimin zyrtar thuhet se, në funksion të mbarëvajtjes së konferencës, do të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe këmbësorëve në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Konkretisht, do të ndalohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga semafori pranë Presidencës deri te sheshi “Nënë Tereza” (përfshirë sheshin), në rrugën “Gjergj Filipi”, si dhe në aksin që lidh hotelin “Marriott” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Gjithashtu, për këmbësorët do të jetë i bllokuar trotuari nga hyrja e hotel “Rogner” deri te Pallati i Kongreseve gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të konferencës.
Kufizimet do të jenë në fuqi nga ora 07:00 e datës 9 tetor deri në orën 15:00 të datës 10 tetor 2025.
Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke kërkuar shmangien e lëvizjeve të panevojshme në zonat e kufizuara dhe respektimin e sinjalistikës rrugore, si dhe të udhëzimeve të punonjësve të Policisë në terren./K.C/dritare.net

















