Rama-gjyqtarëve: Keni sulmuar publikisht qeverinë, duhet të garantoni paanësi
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar sërish kërkesën e gjyqtarëve për rritjen e pagave, duke e cilësuar atë si të padrejtë. Reagimi i tij vjen pas deklaratës së një dite më parë nga Shoqata e Gjyqtarëve, lidhur me qëndrimet publike të mbajtura nga kreu i qeverisë.
Rama u shpreh se në asnjë moment nuk ka përmendur emra konkretë, por ka reaguar ndaj kërkesës në tërësi. Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për një fushatë politike apo për sulm ndaj gjyqtarëve, por për një qëndrim ndaj asaj që ai e konsideron një kërkesë të papranueshme nga buxheti i shtetit.
Kreu i qeverisë solli shembuj konkretë për nivelin e rritjes së pagave të kërkuara. Sipas tij, për një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë kërkohet rritje mujore page nga 3360 euro në rreth 5300 euro, ndërsa për gjyqtarët e Apelit nga 3480 euro në 5500 euro. Ai shtoi se për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kërkohet paga deri në 5800 euro, ndërsa për prokurorët e SPAK është kërkuar rritje deri në 9800 euro, edhe pse aktualisht pagat e tyre janë rreth 6500 euro.
Rama deklaroi se kjo kërkesë përbën një barrë të konsiderueshme financiare, rreth 37 milionë euro shtesë nga buxheti i shtetit, dhe theksoi se qytetarët shqiptarë duhet të jenë të informuar mbi përmasat e saj.
“Besoj se të gjithë e dinë se çfarë është një fushatë kur e udhëheq unë, bashkë me shokët e shoqet e armëve të PS, një urgan që merr përpara çfarë të dalë përpara. Por kjo nuk është betejë politike, ne nuk jemi në asnjë fushatë, nuk kemi qëllim të bëjmë fushatë kundër gjykatësve. Të vetëvendosurit në pozicionin e viktimës, ajo që kjo gjykatë po kërkon është unikale në historinë e Europës. Kjo tymnajë populiste, kush jeni ju, jeni parti politike? Dilni në garë, dilni në platformën tuaj dhe bëni luftën e plotë. Tymnajë populistë e krijuar, për linçimin e gjyqtarëve. Ju kërkoni 37 milionë euro plus nga buxheti i shtetit, për t’i rritur vetes pagat", u shpreh Rama./L.F-dritare.net