Karvani i “Dritës së Gonxhës” u ndal në Arqipeshkvinë Metropolitane Durrës-Tiranë
Dritare.net
Sot, në Arqipeshkvinë Metropolitane Durrës-Tiranë në shenjë të 114 vjetorit të lindjes (26 gusht), 27 vjetorit të vdekjes (5 shtator) të Nënës Tereze dhe të 45 vjetorit të marrjes së Çmimit Nobel për Paqe nga ana e saj, u bë prezantimi i veprimtarisë botuese të ITSHKSH-së, në kuadër të edicionit të katërt të manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës”, konkretisht librat: “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne”, e autorit Dom Lish Gjergji, ”Gjon Antoni, një margaritar kujtese për Shkupin e rinisë” e autorëve Skender Asani , Emin Azemi, Albert Ramaj, “Si dhe pse lindi Departamenti për studimne trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut - Nënës Tereze”, e autorëve Anton Nikë Berisha dhe Skender Asani si dhe numri i 3-të i revistës “Drita e Gonxhës”.
Pas fjalës përshëndetëse të Arqipeshkvit, Imzot Arjan Dodës, për rëndësinë e këtij manifestimi si dhe për vlerat që ofrojnë botimet e dedikuar jetës dhe veprës së Nënës Tereze, foli drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, i cili nënvizoi se se trinomi Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza – Shën Tereza ka qenë dhe mbetet preokupimi kryesor shkencor e profesional i Institutit që ai drejton, në kuadër të të cilit tash e disa vite vepron Departamentit për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze.
Pjesë e panelit ishte edhe Dom Lush Gjergji, i cili u ndal në disa çështje që ndërlidheshin me veprën e tij “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne”, për të cilën foli Atë Bernard Caruano.
Në prezantimin e sotëm auditoriumi u njoftua edhe me veprat ”Gjon Antoni, një margaritar kujtese për Shkupin e rinisë” e autorëve Skender Asani , Emin Azemi, Albert Ramaj, “Si dhe pse lindi Departamenti për studimne trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut - Nënës Tereze”, e autorëve Anton Nikë Berisha dhe Skender Asani si dhe me numrin 3 të revistës “Drita e Gonxhës”, për të cilat një zbërthim më të detajuar e bëri kryeredaktori i kësaj reviste, Emin Azemi.
Pjesë e këtij promovimi ishte edhe debati që u zhvillua në mes të auditoriumit dhe panelistëve, me ç’rast u ngritën disa çështje që kishin të bënin me mënyrën dhe strategjinë e trajtimit të figurës së Nënës Tereze./dritare.net