
Gjithë vipat shkojnë në Gjirokastër. Si u bë qyteti trendi i 2020 në instagram!
Dritare.net
Pandemia e koronavirusit ndryshoi rrënjësisht gjërat këtë vit. Si shumëçka tjetër edhe turizmin. Por si çdo monedhë që ka dy anë, virusi që trazoi botën, solli një anë pozitive përsa i përket turizmit, vendas. Nëse shumë kush në vitet e shkuara Shqipërinë e kishte lënë jashtë në listë, duke kërkuar destinacione të reja, sa intriguese aq edhe interesante jashtë vendit, kjo verë është ndryshe. Të gjithë me sytë nga Shqipëria, për të zbuluar cep më e cep, mrekullitë e vendit tonë. Që për hir të së vërtetës, janë të shumta. Por vendi që u bë trendi i 2020 është Gjirokastra. Po po, qyteti i gurtë, me rrugët me kalldrëm dhe çatitë karakteristike, ka parë këtë vit më shumë turistë shqiptarë se çdo herë tjetër.
Nuk na besoni? Hidhni një sy në instagram dhe do na besoni.
Të gjithë të marrosur pas Gjirokastrës, pas Pazarit plot me suvenire, pas Kalasë, po edhe pas traditës, veshjeve e gatimeve që ç'të hash më parë.
Në grupe apo të ndarë, ajo që i bashkon të gjithë këtë verë është i njëjti destinacion. Emisioni në youtube, Dritare Me Rudinën, na tregoi një qytet që askush se kishte parë më parë. Rrugë më rrugë e çati mbi çati.
Elion Kollçaku, gazetar në Prishtinë, nga Gjirokastra tha se video e Rudinës, ishte një shtysë jo vetëm për të shkuar në këtë qytet, por për ta njohur atë.
"Të thuash një qytet i bukur për Gjirokastrën është mëkat. Me gjithë bukurinë natyrore, shto këtu trashëgiminë kulturore, Kalanë, Muzen, Shtëpinë e Kadaresë, por pa lënë pa përmendur ushqimin, byrekun e famshëm të Prëmtos, 300 vjeçar. Unë kam qenë në Gjirokastër edhe më parë, por nuk e njihja, ashtu siç na e tregoi Rudina në Dritare".
Një grup gazetares, nga Prishtina, Durrësi e Tirana, shkuan gjithashtu në Gjirokastër, e ndoqën të gjithë itinerarin e Rudinës.
Mandej, nisi pelegrinazhi. Rudina hapi një dritare dhe tani ajo është dritarja e të gjithëve në Gjirokastër.
Instagrami është mbushur plot me foto nga ky qytet.
Blendi Fevziu, kaloi një ditë fantastike në Gjirakastër, nga Sokaku i të Marrëve, në Shtëpinë e Kadaresë, e ku sigurisht nuk kishte si të ndodhte ndryshe pa shijuar një gotë raki.
Landi Hysi, së bashku me mikun e tij të ngushtë, Armir Shahinin, zgjodhën Kërcullën, aty gatimet tradicionale shijohen si askund tjetër.
Hysi dhe Fevziu, veshën edhe kostumin tradicional të Gjirokastrës.
Gazetarja Mira Kazhani, e cila gjithashtu ka një rubrikë të veçantë për promovimin e Shqipërisë në Tiranapost.al, në listën e saj të destinacioneve zgjodhi Gjirokastrën.
Në listën e gjatë të vendeve të preferuara të çiftit të njohur Vera Grabocka dhe Timo Flloko, nuk kishte si të mungonte Gjirokastra. Andaj fundjava për to kaloi në këtë qytet.
Mirela Kumbaro, në çdo fundjavë na tregon Gjirokastrën plot.
Aktori Juljan Deda, pas disa destinacioneve zgjodhi të vizitojë qytetin e gurtë.
Majlinda Bregu, ka të preferuar shumë detin, sidomos në jug të vendit. Ama nuk mund të mungonte në Gjirokastër këtë verë. Përshkrimin më të bukur këtij qyteti, në foton në instagram, ia bëri përmes një pjesëze, nga Kronikë në Gur, të Ismail Kadaresë.
Rezarta Shkurta, së bashku me bashkëshortin dhe vajzën, një fundjavë e kaluan në Gjirokastër, ku vizitën e nisën te Muzeu.
Gjirokastra është një atraksion turistik jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të huajt.
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, së fundmi ka bërë një vizitë në qytet, ku turin e tij e ka nisur te Pazari./L.F-dritare.net

















