Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çfarë përmban raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë (2025)

Çfarë përmban raporti i Komisionit Evropian për

Komisioni Evropian ka vlerësuar se zgjerimi i BE-së është një objektiv realist për vitet e ardhshme, me Shqipërinë ndër vendet që kanë bërë progres të jashtëzakonshëm. Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, theksoi se Shqipëria ka arritur rezultate të dukshme dhe synon përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027, duke u renditur përkrah Malit të Zi, Moldavisë dhe Ukrainës.

Angazhimi politik dhe përputhja me BE-në

Raporti thekson se Shqipëria ka ruajtur angazhimin e fortë politik ndaj integrimit evropian dhe është përafruar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke u vlerësuar si partner i besueshëm.

Gjendja politike dhe parlamentare

Megjithatë, Komisioni evidenton polarizimin politik dhe mungesën e dialogut të sinqertë mes mazhorancës dhe opozitës, që kanë kufizuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit.
Raporti kritikon emërimet politike në institucione të pavarura dhe sjell në vëmendje mungesën e barazisë në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, si dhe abuzimin me burimet publike, sipas vëzhgimeve të OSBE/ODIHR.

Drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit

Në drejtësi, raporti shënon përparime të dukshme, duke vlerësuar se sistemi gjyqësor është tashmë “ndërmjet mesatarisht dhe mirë i përgatitur”.
SPAK vlerësohet për rezultate pozitive dhe përparime të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, megjithëse korrupsioni vijon të mbetet i përhapur në sektorë të ndjeshëm.

Ekonomia dhe financat publike

Raporti nënvizon se ekonomia shqiptare ruajti një rritje të fortë në vitin 2024, e nxitur nga kërkesa e brendshme dhe turizmi.

Inflacioni ra nën objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Borxhi publik vijoi të ulej, dhe konsolidimi fiskal u përshpejtua.
Megjithatë, të ardhurat buxhetore mbeten të ulëta, dhe shpenzimet për investime publike janë nën-ekzekutuara.
Prokurimet publike mbeten një problem me përparim të kufizuar dhe ndryshime ligjore të diskutueshme.
Demokracia dhe zgjedhjet
Zgjedhjet e 11 majit 2025 u vlerësuan si konkurruese dhe të administruara profesionalisht, por me mangësi në barazinë e garës dhe përdorimin e burimeve publike.
Raporti kërkon reformë të plotë zgjedhore, për të zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

Në përfundim, Komisioni Evropian njeh progres të prekshëm të Shqipërisë në drejtësi, ekonomi dhe përputhje me BE-në, por nënvizon nevojën për reformë zgjedhore, dialog politik të sinqertë dhe forcim të institucioneve të pavarura për të arritur objektivin e anëtarësimit në vitin 2027./L.F-dritare.net