Dritan Hila: Adriana Kalaja dhe avokati i pazarit
Dritare.net

Gazetari Dritan Hila bëri një reagim për zgjedhjen e Endrit Shabanit si Avokat i Popullit. Duke e cilësuar Shabanin si një pazarxhi, zoti Hila thotë se më e denjë për këtë post do të ishte Adriana Kalaja. Sipas analistit, Kalaja ka treguar që beson në kauzat e saj dhe është një juriste që përballet çdo ditë me problematikat e qytetarëve.
Hila theksoi se fakti që PD nuk mbështeti Kalanë ishte tregues i marrëveshjeve të brendshme mes aktorëve politikë. Ai kritikoi opozitën, të cilën e akuzoi se nuk i vlerëson besnikët.
"Adriana Kalaja do ishte një Avokate e Popullit shumë më e mirë sesa ky pazarxhiu i vogël që u zgjodh. Kalaja të pakten ka treguar se beson tek kauzat e veta; se nuk ka frikë të shkojë kundër rrymës; se nuk ka frikë të perplaset për atë që beson dhe është një juriste që i njeh problemet pasi i prek çdo ditë çka do e bënte një personazh real në atë post dhe jo një manekin. Moszgjedhja e saj, tregoi vetëm që doktori i qan pazaret qofte me lepujt e Surrelit e qofte me bosin e Surrelit, dhe nuk ia ndjen fare për besnikët por i ka veçse mish për top", shkruan zoti Hila./L.F-dritare.net