Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Costa në Tiranë: Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare drejt anëtarësimit në BE!

Costa në Tiranë: Shqipëria ka hyrë në një

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, viziton sot Tiranën në kuadër të turit të tij në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Vizita vjen përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.

Në ndalesën e tij në Tiranë, Costa u prit nga kryeministri Edi Rama, rreth orës 11:00, ndërsa zhvilloi edhe një takim të veçantë me presidentin Bajram Begaj. Rama dhe Costa po zhvillojnë edhe një konferencë për shtyp. Për Shqipërinë, vizita e presidentit të Këshillit Evropian vjen në një kohë kur Brukseli po kërkon rezultate konkrete nga vendet kandidate, ndërsa Tirana synon të mbyllë negociatat dhe të anëtarësohet në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.

“Është gjithmonë kënaqësi, jo për protokollin e as mikpritjen e pakushtëzuar, por për faktin se çdo takim me Presidentin është një orë, dy apo tre orë mësimi, dhe mësimi nga një eksperiencë e madhe dhe patjetër edhe nga një njohje e thellë e çështjeve të Evropës, të botës, ekonomisë, sociale e me radhë. Dua ta falënderoj Antoninon posaçërisht për angazhimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e palodhur, edhe përpara se ne të realizonim praktikisht mbylljen e fazës së parë dhe hapjen e fazës së mbylljes, në një kohë kur të gjithë së bashku po përballemi me sfida që nuk janë tonat, por gjithmonë e më të përbashkëta.

Ne ndajmë plotësisht me Presidentin bindjen se pjesa kryesore e punës tonë këtu mbetet puna jonë. Ne kemi detyra për të përmbushur, jo për hir të Brukselit, por për hir të përmirësimit të performancës së shtetit, institucioneve, pushteteve të pavarura në Shqipëri. Sigurisht që tani, në këtë fazë, theksi kryesor është zbatimi i atyre reformave që janë kryer me sukses, apo i gjithë ligjeve që do të vazhdojnë të hyjnë në organizmin ligjor të Shqipërisë. Natyrisht që është një proces me sfida. Me të drejtë, Kosta na ka sugjeruar që të rrisim përpjekjet për të njohur publikun e gjerë me të gjitha këto sfida që shoqërojnë çdo hap që hedhim përpara.

Ajo që e bën të vështirë që unë të zgjatem është se kemi dakordësi 100% në të gjitha çështjet. Jemi dakordësi për sa i përket detyrave që duhet të bëjmë, për domosdoshmërinë që të ecim me këtë ritëm dhe të vijmë në mbylljen, të bëjmë çmos që rajoni të funksionojë si një kolektiv bashkëpunues dhe që të gjitha këto janë më të lehta për faktin se nuk jemi vetëm, por kemi një partner si BE dhe kemi një burim dije, siç është procesi i negociatave. S’kemi asnjë shqetësim që na ndan, por vetëm shqetësime që na bashkojnë”, tha Rama.

Kujtojmë që Samiti i 5 qershorit do të mbahet gjashtë muaj pas atij të fundit në Bruksel, duke riafirmuar forcimin e marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin Perëndimor.