
Ben Andoni: Dumani përballë politikanëve nën hetim, moment grotesk
Dritare.net
Analisti Ben Andoni i ftuar në emisionin “Intervista e ditës” në DritareTv foli për paraqitjen e kreut të SPAK-ut Altin Dumani një ditë më parë në Komisionin e Ligjeve. Andoni thotë se ishte një moment grotesk të shihje Dumanin përballë personazheve që janë nën hetim nga SPAK-u dhe që i kërkonin atij llogari. Gazetari thotë ndër të tjera se SPAK-u po bën sot rolin opozitës në Shqipëri.
“Kur dëgjon sinjale të mira ndaj krimit është lajm i mirë. Por kur gjykon për anatominë dhe përhapjen e krimit në vendin tonë kam ndjerë jashtëzakonisht trishtim. Edhe nga deklaratat e zotit Dumani. Kohë me parë ai ishte shumë i kujdesshëm në një nga komisionet e para kur tha që ne rezervohemi sepse nga policia ka rrjedhje informacioni. Nga ana tjetër nga deklaratat e kohëve të fundit, qoftë për bashkëpunimin me policinë, qoftë për bandat, apo politikën.
Nuk kam parë moment më grotesk Dumanin përballë, Nokës. Kryemadhit, Xhaçkës, Gjiknurit. Ky parlament e ka humbur moralin fare për të përballur SPAK-un, për ta marrë në pyetje. Po mendoja të vetmen gjë që mund të bënin këto kohë ishte të siguronin kushte më të mira nëse do kishin moral. Një pjesë e tyre në mbledhje duhet të mbyllnin gojën. Jo siç bënte zoti Noka që kërkonte llogari për zotin Berisha. Është një situatë që kjo legjislaturë doli të jetë më e dobëta. Por besoj se tjetra do jetë akoma më e dobët sepse shikoj gjithë premisat e politikës. SPAK-u nuk mund të bëjë opozitë e vetme. Rolin e opozitës po e merr SPAK-u nuk e bën dot askush tjetër.”, tha Andoni në DritareTV./K.C/dritare.net

















