Automotopark në Elbasan, së shpejti realitet!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama përmes një video në Facebook ka lajmëruar për automotoparkun e parë shqiptar që do të ndërtohet në qytetin e Elbasanit. Vetë presidenti i FIA-s Jean Todt ka përcjellë një mesazh për kryeministrin Rama ku thotë se e mbështet këtë iniciativë dhe është në përputhje me përparësitë e saj.
“Zonja dhe zotërinj fale mikut tim Niko Leka, kam ndjekur me interes dhe kënaqësi përpjekjet e ndërmarra nga qeveria shqiptare për forcimin e rregullave të sigurisë rrugore. Dy vjet më parë pata mundësinë të diskutoja me kryeministrin Edi Rama lidhur me sfidat dhe rëndësinë e zbatimit të kësaj politike. Sot dua të përgëzoj këtë angazhim politik për një kontroll më të mirë të shpejtësisë në qendrën e qytetit dhe pranë shkollave duke iu kushtuar vëmendje të madhe përdoruesve të rrugës, veçanërisht, këmbësorëve dhe çiklistëve, duke iu siguruar korsi të sigurta dhe të dedikuara.
Më shumë parandalim po ashtu edhe një vullnet i fortë për të ndëshkuar sjelljet e rrezikshme dhe mosrespektimin e rregullave. Di që Shqipëria ka një projekt për krijimin e një qendre kushtuar sporteve automobilistike por edhe edukimit dhe formimit. Sigurisht FIA e mbështet këtë iniciativë që është në përputhje me përparësitë e saj”, shprehet ai.
Disa muaj më pare edhe kreu i DPSHTRR në Shqipëri Blendi Gonxhe dha lajmin se në qytetin e Elbasanit do të ndërtohet automotoparku i pare shqiptar për të mundësuar edhe zhvillimin e garave ndërkombëtare të makinave si ato të Formula 1./Xh.Xh/dritare.net