
Anija me 2100 tonë mbetje në Durrës/ Ministri Hoxha: S'janë kuti kartoni t'i fshehim
Dritare.net
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka reaguar sot në Kuvend për anijen me 102 mbetje të dyshuara të rrezikshme që janë vendosur në Portin e Durrësit.
“Urdhri i prokurorisë i rrethit gjyqësor Durrës ka dalë më 27 tetor dhe ka qenë ditë e diel. Jemi koordinuar plotësisht për zbatimin e këtij urdhri. Të siguroj se nuk jemi në periudhën kur urdhrat e prokurorisë nuk zbatohen. Kjo periudhë ka mbaruar, nuk është më aktualitet. Në bashkëpunim me doganën, policinë e shtetit dhe të gjithë agjencitë ligjzbatuese po krijohet infrastruktura e përshtatshme e vendosjes konform ligjit të këtyre kontejnerëve në hapësirat publike që do të kontrollohen e monitorohen nga policia. Janë mbi 102 kontejnerë që kërkojnë infrastrukturë të posaçme. Nuk janë kuti kartoni që mund ti fshehim e ti fusim kudo ku ju mendoni. Këto kontejnerë do të vendosen në hapësirë që monitorohen nga policia. Urdhri i prokurorisë është totalisht ekzekutueshëm e po marrim masa në koordinim për ta bërë këtë urdhër të ekzekutueshëm. Koha e urdhrave të prokurorisë kur jepeshin e nuk ekzekutoheshin nuk ekziston më dhe për këtë shumë drejtues të policisë të atëhershëm janë në SPAK për të dhënë llogari se nuk zbatuan urdhrat.”, tha Hoxha./K.C/dritare.net

















