Po krijoj varësi nga partneri, çfarë të bëj?
Dritare.net
Përshëndetje Psikologe Enertila
Unë që ju shkruaj jam një vajzë që kam disa muaj që jam lidhur me një djalë. Problemi im është se po kuptoj që po krijoj një varësi të madhe ndaj tij saqë nuk po mundem të organizohem në gjërat e mia. Të lutem si mund ta organizoj, kuptoj dhe orjentoj veten në këto kushte që jam? Ju falenderoj.
Përgjigjet psikologe Enertila Bekteshi
Pëshëndetje lexuesja jonë,
Varësia nga dashuria është gjendja psikologjike në të cilën ka një nevojë të madhe për dashuri nga ana e një personi ndaj partnerit të tij. Në varësinë nga dashuria, shkaqet mund të jenë të shumëta. Nëse ju e dashur lexuesja jonë e identifikoni veten se vuani nga varësia nga dashuria në këndvështrimin tim do t'u sugjeroja të mundoheni të forconi ato gjëra të jetës suaj që keni lënë mënjanë.
Të dilni me miqtë, takohuni me anëtarët e familjes, gjeni një hobi ose rifilloni ato që keni pasur përpara se të kishit një partner. Me pak fjalë, zbuloni se kush keni qenë para asaj lidhjeje ose mendoni se kush do të donit të ishit. Kjo do të jetë një nga metodat për të kapërcyer varësinë emocionale. Gjithashtu lexuesja jonë ju sugjeroj të vlerësoni atë që bëni, kush jeni, çfarë keni, pavarësisht nga partneri juaj. Rritni autonominë tuaj dhe ndjenjën tuaj të vlerësimit. Kujdesuni për veten brenda dhe jashtë. Gjithashtu marrja e vendimeve tuaja dhe besimi në përgjegjësinë tuaj personale është një nga mënyrat më të mira për të ditur se si të kapërceni varësinë nga dashuria. Lexuesja jonë ju sugjeroj të kërkoni qëllime të reja në jetën tuaj, gjithashtu punoni në inteligjencën tuaj emocionale. Një tjetër shkak i varësisë emocionale është menaxhimi i gabuar i emocioneve, ndaj filloni të analizoni emocionet tuaja dhe identifikoni ato, më pas përpiquni t'i kuptoni ato në çdo situatë në të cilën nuk ndiheni rehat.
Uroj shumë që këndvështrimi im tu ndihmojë sadopak por nëse e shihni situatën përtej mundësive tuaja kërkoni ndihmë profesionale. Gjithë të mirat./dritare.net