
Ta tregon Dhurata sekretin për ta gatuar mirë plëndësin!
Dritare.net
Dhurata Thanasi e Lugës së Argjendtë na dha një superide gatimi. Ju pëlqen gatimi i plëndësit të bagëtive të imëta apo gjedhit. E dimë që të gjithë ju keni problem me aromën e tij, por Dhurata na ka treguar sekretin për të gatuar një pjatë të mirë më plëndës. Mos e humb më poshtë! “Kisha kohë që doja të shkruaja për mishin e plëndësit, kësaj pjese të trupit të bagëtive të imëta apo gjedhit, kaq shumë të përdorur në lashtësi! Duke e vështruar në një kontekst gastronomik historik, i cili ofronte mishin me pakicë ose sipas stinëve, në periudha të caktuara në forma të ndryshme si: pastërma apo mish i thatë, gjatë periudhës së pranverës apo festave të ndryshme fetare, pagane, celebrimeve të dasmave, fejesave, lindjes së fëmijëve apo vakive dhe funeraleve, ky i fundit nuk përdorej çdo ditë në familjet shqiptare. Pjesë të tjera të trupit të bagëtisë dhe gjedhit, si plëndësi, zorrët, gabzherrët dhe të përbrendshmet asnjëherë nuk hidheshin dhe ricikloheshin nëpër kuzhinat e krahinave të ndryshme. Plëndësi gatuhet shumë në vendet me kultura të fuqishme baritore si ajo, angleze, skoceze, franceze, italiane por dhe në të gjithë Ballkanin, Greqi, Afrikën veriore, Amerikën Jugore si "soul food", etj. Sikleti i shumëkujt lidhet me aromën e plëndësit, i cili i pastruar mirë e sidomos i përftuar nga qengjat pirës (me vjen keq, por unë këtu ndaj fakte gastro-historike), ofron pjata shumë të shijshme për të apasionuarit. Sekreti i një pjate të mirë me mishin e plëndësit qëndron te freskia e tij (mish i moshës së vogël të kafshës), pastrimi i plëndësit me krem gëlqere, dhe larja e tij me ujë dhe uthull. Ai përdorej dhe në mbushjen e kukurecëve apo kollofacet apo dhe salçiçeve të ndryshme. Nga ana ushqimore, mishi i plëndësit është i pasur me proteina dhe kalcium dhe përmban pak yndyrë dhe pa karbohidrate. Sidoqoftë, përmban kolestrol. Shumë pjata si psh ajo "tripes a la mode de Caen" në jug të Francës apo Trippa alla Fiorentina apo Edhe Trippa alla Genovese, të cilën e kam gatuar sipas recetës antike janë ndër më të preferuarat e kuzhinave ndërkombëtare.”, shkruan Dhurata në Instagramin e Lugës së Argjendtë./K.C/dritare.net

















