
Video/ U vra sot në Shkodër, ja kush ishte Nardi i Thethit!
Dritare.net

Përmes faqes në Facebook “Thethi National Park” ai reklamonte bukuritë natyrore të kësaj zone të mrekullueshme, ndërsa ndër vite s’ka nguruar të ngrejë zërin për problemet që e shqetësonin, që nga mungesa e infrastrukturës rrugore deri tek bllokimi i rrugëve të Thethit në dimër.
Polia është bërë shpesh pjesë e kronikave televizive në vend, ku denonconte mos ndërhyrjen e shtetit për t’ju ardhur në ndihmë. Me dëshirën e madhe dhe ëndrrën që Thethi do popullohet sërish, në një intervistë për mediat e huaja, ai rrëfen jetën e tij.
Djali i fortë e me muskuj, i kalitur për të përballuar jetën në mal shfaqet mbi makinën e tij Fuoristradë me goma të larta. Me këtë makinë ku sot i morën jetën, ai është bërë shpëtimtar i shumë turistëve që ngecnin mes botës.
Pikërisht mbi makinën e tij ai nis të rrëfejë kthimin në Thethin e dashur dhe pasionin e madh për ta zhvilluar këtë zonë.
“Unë kam lindur në Theth, jetesa këtu ka qenë shumë e vështirë, jena rrit shumë të varfër. Erdhi një kohë pas demokracisë në Shqipëri që Thethi u la pas dore, sepse njerëzit, banorët ikën. Këtu nuk kishte absolutisht të ardhura”,- thoshte ai.
“E kujtoj si sot kur kam ikur në vitin 1999 bashkë me familjen time në Shkodër. Ishte shumë e vështirë të jetoje këtu. Të gjithë shokët e mi me familjet kanë ikur ose në Shkodër ose jashtë shtetit. Mbaj mend që në 2005 jam kthyer përsëri në Theth kishte 5 familje nga 250 që ishin në 1995”,- thoshte Polia në rrëfimin e tij.
Por ndërsa vitet kanë kaluar, Polia shprehte gëzimin që Thethi aq i dashur për të kishte filluar të kthehej në një atraksion turistik.
“Thethi sot është bërë një atraksion shumë i bukur në Shqipëri dhe shumë i preferuar për turistët në Shqipëri dhe jashtë saj. Është natyra më e virgjër, ndër parqet kombëtare më të rëndësishme është edhe zonë e mbrojtur. Kemi fatin se këtu gjithçka ka mbetur si më përpara. Do mundohemi ta ruajmë sa më autentik Thethin, me bukurinë, kulturën, traditën dhe historinë e tij”,- thoshte Polia.
Nëse pasditen e sotme s’do t’i kishin bërë atentat, Polia do ta zhvillonte edhe më tej bujtinën e tij. Emri i Thethit do dëgjohej më shumë nëpër botë, për kulturën, bukurinë dhe traditën e ruajtur ashtu siç kish ëndërruar që ditën kur ai u kthyer në vendlindje!/BW
https://www.facebook.com/bujtinapolia/videos/1430827273687040/

















