

Nga Fjorda Llukmani Fundjavën që kaloi pata disa udhëtime lart e poshtë nëpër Shqipëri, që çdo ditë e më shumë më bëjnë ta vlerësoj natyrën e bukuritë që kemi. Fatkeqësisht veriun se njoh mirë. Shkodrën dhe Lezhën e kemi vizituar kur ishim në fillore dhe pothuajse nuk i mbaja mend fare. Duke qenë se Shkodra më bëri shuuumë përshtypje, do shkruaj në një tjetër artikull të detajuar. Sot po shkruaj për Shirokën, meqë kam pasur pyetje pafund në rrjete sociale edhe vetë s’më pritet tu tregoj si qysh tek. Tek një nga gjërat që mund të bësh në Shkodër radhitej Shiroka, si pjesa ku mund të shihet më bukur liqeni. Pasi kalon urën e Bunës, në të djathë është rruga që të çon atje. Shoku im shkodran Burimi, më tregonte që është destinacion i pëlqyer për tironsat që vijnë e hanë peshk. Gjithsesi mua më interesonte më shumë Vila e Zogut se liqeni. Në Internet mund të gjesh pak foto të vilës dhe në Google Maps nuk ekziston fare si location. D.m.th kush do të shkojë duhet të pyesë banorët e zonës, pasi e keni të pamundur ta gjeni. Hajt mo duke pyetur gjen edhe Stambollin, çfarë është një vilë fundja. Shiroka ishte e gjitha buzë liqenit, me shtëpia thuajse të reja. Dua të them të rikonstruktuara. Shikoja dhe tabela që shkruanin shitet, jepet me qera etj. Mu kujtua që një herë kam parë një vilë luksoze në Shirokë që jepej me qera ditore për pushime. Besoj gjatë verës liqenin e shfrytëzojnë për plazh.
Pyetëm një çun të zonës se ku ndodhej Vila e Zogut. “Në qendër të Shirokës, do ecësh lart nëpër shtëpia. Pyet prapë se të ndihmojnë banorët”-thotë ai me dashamirësi. “Po nëse ecim drejtë çfarë ka?”- e pyes unë. “Drejtë është fshati Zogaj, në kufi me Malin e Zi. Por s’ka ndonjë gjë të veçantë për të parë andej.”-thotë ai. Si kuriozë që jemi, shkuam deri në xhaminë e fshatit Zogaj, 10 min larg me makinë nga Shiroka. Rruga është perfekte për tu bërë me biçikletë. Shoku im Burimi nga Shkodra më tregoi që në këtë fshat jetonin vetëm spiunë, të cilët lajmëronin nëse dikush donte të kalonte kufirin prej këtej. Kur rruga filloi të prishej u kthyem pas në kërkim të Vilës së Zogut.
Futemi nëpër rrugica malore në fshat dhe nuk shikonim asnjë gjurmë që ngjante me vilën. Disa banorë të zonës na shikonin me kuriozitet. “Pale këta na njohin që nuk jemi të lagjes”-i them grupit. Kur futemi në një rrugicë qorre dhe shohim një derë me kangjella të lidhura me dryn. Vila ishte e mbuluar nga pemët dhe u desh të afrohesha që ta kuptoja. “Ooooo e gjetëm vilën”- bërtisja gjithë qejf pasi kishim 20 min që kërkonim. Sigurisht që nuk kishte as roje, asgjë tjetër përveç gardhit me hekura. Kaluam gardhin pa e vrarë mendjen se na shikonte dikush. Të shkoje deri aty e mos të futeshe brenda do të ishte gabimi më i madh.
Vila ishte ngjyrë kafe me nuanca bezhë. Arkitektura dukej si stil italian. Më shumë më pëlqeu kjo se Pallati i Brigadave. Vila rrethohej me hapësira të gjelbërta dhe mund të ishte ndërtuar më lart se gjithë të tjerat. Kur hipa në ballkonin e sipërm thashë me vete: “Bythë e zgjuar ky Zogu, ka ditur ku i ka ndërtuar shtëpitë e pushimit.” Shkallët e jashtme më pëlqyen jashtë mase. Dukeshin fiks si shkallët që vizatonim kur ishim të vegjël, me harqe anash dhe simetri të përkryer. Brenda në vilë kishte dritare kudo. Që të shikoje pamjen praaaa, nga çdo cep i shtëpisë! E imagjinoja Zogun duke pirë kafen e mëngjesit e duke parë televizor në kuzhinë, ndërkohë nga dritarja e shoqëron liqeni me zogjtë që fluturojnë. E do robi dhe një ballkon ku ta pi nji cinare mo! Mundësisht me këmbë përpjetë në bordura. Më bëri përshtypje që tavanet ishin goxha të larta. Po ashtu të gjitha dritaret në formë harku. Pllakat tipike të kohës së atëhershme me motive të njëjta plot ngjyra. Mund ta kuptoje kollaj cila ishte banjë, dhoma e ndenjes, dhomat e shërbëtorëve etj.
Vrisja e vrisja mendjen si mund të lehet një vilë e tillë në harresë, e dëmtuar dhe gati në shembje. Në cepat e vilës pashë disa skela që duket se mbanin muret e jashtme. Kërkova në Internet mos gjeja ndonjë informacion se kur është rikonstruktuar për herë të fundit por hiçgjë. I vetmi informacion që lexova ishte që princ Leka paska qenë në gjyq për këtë ndërtesë, prandaj s’ka vënë dorë njeri. Siç duket ai e ka fituar gjyqin, por prapë ka ankesa nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura në Shkodër për pronësinë e truallit. Epo të kesh gjithë këtë perlë e ta lesh në harresë, ju qofshi! Nejse, princi i shkretë pale sa prona të tilla ka, që as nuk i di ku janë. Ku i rreh atij e ku më rreh mua thuaj.
E vetmja gjë që do doja ishte që kjo vilë të kthehet në pikë interesante turistike në Shirokë. Përderisa njerëzit shkojnë e hanë peshk, pse mos të shohin edhe Vilën e Zogut? Në Instagram unë jam e vetmja që kam postuar një foto të kësaj vile në Shirokë. Mbase njerëzit as ia kanë haberin që ekziston, nuk u vë faj. Dhe tek tabela që tregon se çfarë mund të vizitosh në këtë vend, nuk shihet asnjë shenjë e vilës. Hajt mo, pale u shkon mendja ta rikonstruktojnë kur ti bie tavani.
Tek shijoja pamjen nga ballkoni, shoh disa fëmijë që hyjnë për të luajtur në territorin e gjelbëruar të vilës. Çfarë fati këta kalamaj! Unë maksimumi kam lozur në lagjen e nonës plot me zhavorr dhe gurë, ndërsa këta luanin në shatërvanin e ndërtuar në 1920. Më bëri përshtypje që vila nuk mbante erë urinë nga brenda, sic ndodh rëndom në ndërtesa të tilla. Fëmijët që luanin mund të jenë rojet e vetëm të ndërtesës, të cilës e konsiderojnë si shtëpinë e tyre, prandaj nuk e ndotin. U përshëndetëm miqësisht me dorë gjatë ikjes sime.
“Bëfshi qejf kalamaja”-u them unë nga larg, me dëshirën për të qenë dhe një herë në moshën e tyre. Nga xhelozia që përjetova mendoja me vete: “Sikur në lagjen që u rrita të ishte një vilë e tillë pale çfarë kujtimesh do kishim...” Duke lozur mbretërish, sulltaneshash, shërbëtorësh. Ehhh, sa vende ka që nuk i dimë more shokë!/Dritare.net

















